VATIKAN, 19 mars 2013- Sheshi Shën Pjetër në Vatikan u tejmbush sot nga besimtarë të shumtë e liderë nga e gjithë bota, për të marrë pjesë në inaugurimin e Papës së Ri, Francesko i Parë.
Ati i Shenjtë kaloi përmes turmës, mes brohoritjeve e përshëndetjeve të shumta të besimtarëve. Sikurse bëri në fjalimin e tij të parë, edhe në meshën e inaugurimit, Papa Francesko nuk la pa përmendur paraardhësin e tij Ratzinger, duke u lutur e shprehur mirënjohje për të.
“Jemi pranë tij përmes lutjeve, plot dashuri e mirënjohje.”- u shpreh Papa Francesko.
Më tej, Ati i Shenjë u kujtoi besimtarëve se shërbimi ndaj të tjerëve është fuqia e vërtetë e njeriut.
“Fuqia e vërtetë është shërbimi. Të shikosh me dashuri e dhembshuri të gjithë njerëzimin, sidomos më të varfrit, më të dobëtit e më të vegjlit. Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia. Ëmbëlsia nuk është virtyt i të dobëtit, përkundrazi.”- vijoi Papa.
Papa Francesku i mbajti lutjet në gjuhën latine, ndërkohë që e gjithë ceremonia ishte në përputhje me traditën e Kishës Katolike.
LIDERET BOTERORE NE VATIKAN
Shqipëria përfaqësohet në këtë eveniment të rëndësishëm nga kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë Kosova përfaqësohet nga kryeministri Hashim Thaçi. Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ndodhet sot në Vatikan, ashtu si edhe presidentja e Argjentinës, Cristina Kirchner.
Në inaugurim marrin pjesë edhe personalitete të tjera, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, dhe kreun e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Papa Françesko I është zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë më 13 mars, duke pasuar Benediktin XVI. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje muajin e kaluar për shkak të problemeve me shëndetin.