TIRANE, 19 mars 2013-Fëmijët 10-vjeçarë ishin pika e tij e dobët. Pas rastit të 11-vjeçarit Julian Çela, trupi i të cilit ende nuk dihet se ku ndodhet, apo edhe rastit të 10-vjeçarit tjetër me iniciale A.C, që shpëtoi mrekullisht nga duart e pedofilit Ardian Prrenjasi, janë zbuluar edhe raste të tjera që 45-vjeçari ka abuzuar me të mitur. “Gazeta Shqiptare” ka mundur që të flasë me babain e një fëmije që është rrëmbyer nga pedofili në vitin 2004-2005 në qytetin e Librazhdit. Ai rrëfen për makthin që ka përjetuar pas kësaj historie, por duke mos zbuluar identitetin e tij, për të mbrojtur djalin. Madje, babai i fëmijës së rrëmbyer në dhjetor të vitit 2004 në Librazhd pohon se ai e ka çuar çështjen edhe në gjykatë, por kjo e fundit e ka lënë “monstrën” të lirë, me argumentin se “fëmija kishte shkuar me dëshirë”. Tashmë kur kanë kaluar 8 vite nga ajo ngjarje, babai i atij fëmije ndihet i lehtësuar që ai “monstër” është arrestuar, ndërkohë që çdokush dëshiron dënimin maksimal për atë.
Kur ka ndodhur si histori?
Ka ndodhur në fund të vitit 2004, fillim i vitit 2005. Djali im ka qenë 7 vjeç në atë kohë. Ne e njihnim Ardianin dhe nuk na e kishte marrë mendja një gjë të tillë. Djali ka qenë duke luajtur tek shtëpia e tij, bashkë me nipin e tij, 7 vjeç dhe i ka marrë të dy në makinë.
Sa ka qenë ora dhe ku ishit ju ndërkohë?
Ne ishim në shtëpi. Ishte rreth orës 22:30 në darkë, por nuk ishte hera e parë që djali im rrinte tek shtëpia e tij duke luajtur me të nipin. Ardiani i ka marrë me makinën e tij, se punonte në atë kohë.
Ku i çoi më pas?
I ka marrë të dy dhe i ka çuar në mal. Atje i gjetëm ne.
Mesa kujton ti, çfarë i kishte thënë djalit tuaj, Ardiani në atë kohë?
Nuk i kishte thënë gjë, thjesht i kishte marrë të dy dhe i kishte çuar në mal. Ne lajmëruam policinë dhe filluan kërkimet, i gjetën atje. Fati ynë i madh që i kapën për një kohë të shkurtër dhe ai nuk i bëri gjë djalit. Tani ka kaluar koha dhe djali im vazhdon jetën normale.
E keni denoncuar si rast?
Po, e denoncova dhe hapa edhe gjyq. Por, gjykata e shpalli të pafajshëm dhe nuk e dënoi, duke argumentuar se fëmija kishte ikur me dëshirë.
Si ndiheni tani që Ardian Prrenjasi është arrestuar?
Normal që ndihem i lehtësuar dhe më duket se me vdekjen e Julian Çelës, është njësoj sikur të ketë vdekur djali im.