DURRES, 18 mars 2013– Deputeti Igli Cara flet me nota të ashpra për lëvizjet e fundit politike të bëra nga kreu socialist Edi Rama dhe kritikon fort qëndrimin e mbajtur nga PS në Durrës ku bashkinë e kontrollon kjo forcë politike. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve noa.al, z.Cara vlerëson se Rama e njeh pak politikën dhe se e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet e ardhshme me programin që ai ka paraqitur. Nga ana tjetër z.Cara këmbëngul se PD e meriton dhe do ta ketë më 23 qershor një mandat të tretë qeverisës. Kurse shton se të ikurit nga kjo forcë politike, janë të papërfillshëm në ndikimin politik dhe elektoral në vend. Duke iu referuar FRD dhe kreut të saj Bamir Topi, por edhe deputetit të vetëm të FRD në Kuvend, atij të Durrësit, Gazmend Oketa, z.Cara vlerëson se asgjë nuk mund ta kthejë më reputacionin e tyre të humbur. Në këtë pikë z.Cara kujton dhe paralajmëron njëkohësisht se askush që është larguar nga PD nuk ia ka parë hajrin lëvizjeve të tilla, duke theksuar edhe faktin se në këto zgjedhje, PD po shkon bashkë me ata që e themeluan këtë parti.
Z. Cara, ka nisur fushata elektorale dhe Durrësi padyshim është një ndër qarqet e rëndësishem në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Sa e konsoliduar duket PD në këtë prag zgjedhjesh, dhe cilat janë pikat më të forta ku po përqendrohet fushata juaj?
Fushata e zgjedhjeve të vitit 2013, prej kohësh ka nisur në qarkun e Durrësit. Kryesia e PD për vetë specifikat që Durrësi ka, si qarku i dytë më i madh i vendit, por dhe të qasjeve që Durrësi shfaq në zgjedhjet qëndrore përkundrejt atyre lokale, ngriti grupin e punës që do drejtojë fushatën e qershorit 2013, në fund të vitit që lamë pas. Gjithsesi strukturat në qark, kryesia dhe grupseksionet kanë qenë gjatë gjithë kohës në punë duke zgjidhur çështje dhe bërë detyrat që statuti i PD i cakton.
Grupi i punës, në të cilin bëjnë pjesë deputetët aktualë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PD, anëtarë të Kryesisë së degës së PD së Durrësit, tashmë mund të themi kanë ndezur motorët e fushatës dhe po punohet çdo ditë, në çdo grup-seksion të qytetit, në çdo lagje të tij dhe në të gjithë seksionet e komunave dhe bashkive të qarkut. Strukturat e PD në qark, një vëmendje të veçantë i kanë kushtuar anëtarësimeve të reja në strukturat e partisë dhe të forumit rinor, madje duhen theksuar fort dy aktivitete shumë të veçanta. Aktiviteti i parë i zhvilluar në Sukth më 2 nëntor 2012, nën sloganin “Unë zgjedh PD”, shënoi 430 anëtarësimet e reja në parti, një aktivitet dinjitoz ku të rinjtë e Sukthit sollën shumë energji dhe vitalitet në strukturat tona. Aktiviteti i dytë, 8 shkurt 2013, në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit, shënoi anëtarësimin më masiv në historinë e PD, 3 000 djem e vajza të Durrësit, Ishmit, Xhafzotajt, Manzës, Rrashbullit etj , ju bashkuan programit të P.D që ne përfaqësojmë. Ishte një ditë e jashtëzakonshme që na bën të ndjehemi krenarë dhe për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, pika jonë e fortë është besimi që të rinjtë kanë tek PD dhe për më tepër, rinia dhe energjia e saj na jep forcë dhe besim për të shkruar përpara dhe për të besuar se në këtë vend, ne jemi ndryshimi.
A janë projektet e realizuara, të mjaftueshme për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës?
Besoj pyetja juaj është për projekte në nivel lokal, apo jo?! Këtu ka shumë vend për të folur, por përcaktimi juaj “të mjaftueshëm” për t’ju dhënë mandate të tretë krijon gjithë hapësirën për përgjigjen që ju kërkoni. Durrësi për shkak të pozicionit të tij gjeografik, por dhe të madhësisë si qarku i dytë më i madh i vendit dhe me potenciale të mëdha në zhvillimin ekonomik të tij ka qenë në fokus të shumë prej projekteve madhore të qeverisë në këto 8 vjet. Për të folur me projekte dhe me vlera do të thoja në këto 8 vjet u realizuan me financim të drejtpërdrejtë të qeverisë, të gjitha rrugët hyrëse në Durrës: Unaza e qytetit, rruga e Kënetës, Porto Romanos, Shkozetit, Unaza e Plazhit, by passet, pa folur këtu për rrugët e komunave dhe bashkive të qarkut. Do të vazhdoja me impiantin e ujërave të zeza, investimet e shumta në ujësjellësin e Durrësit që kanë zgjidhur dhe kanë në proces një problem të pazgjidhur që nga koha e komunizmit atë të furnizimit me ujë, terminalet në portit e Durrësit, portin e ri të peshkimit që më në fund filloi ndërtimin, kampusin universitar që ndoshta për çështje javësh përfundon godinën e tij të parë, pa harruar Rrugën e Kombit, e cila ka impaktuar ekonominë lokale dhe drejtpërdrejtë turizmin në Durrës, si dhe një numër shumë të madh shkollash në qark.
Sigurisht që japin impaktin e tyre dhe shumë nga projektet, politikat në nivel qendror në nivel lokal dhe po përmend vetëm vendimin e fundit të qeverisë për të hequr tatimin pagave nën 30.000 lekë, që sjell një efekt direkt mbi mijëra fasonistët që punojnë në qarkun e Durrësit. A do të kishim dashur të bënim më shumë? Kjo është një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, a ka patur gjëra që duheshin bërë e menaxhuar më mirë sigurisht që po! Programi i PD-së dhe i qeverisjes sonë në këto vite është besoj programi më ambicioz i qeverisjes së vendit në këto 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar, që nisur dhe si durrsak dhe nga specifikat e jetës dhe të familjes durrsake më duhet ta theksoj fort, na bëri qytetarë të barabartë me të gjithë evropianët përsa i përket lirisë së lëvizjes dhe kjo është një gjë që ne e ndjejmë sepse gjithkush prej nesh ka një njeri apo të afërm në vendet e BE. Eshtë momenti kur PD po përgatit programin e ri elektoral, natyrisht 8 vitet shërbejnë si garancia më e mirë jona ndaj qytetarëve shqiptarë dhe në rastin tonë atyre durrsakë. Kontrata jonë me qytetarin dhe për qytetarin vazhdon, ne kemi akoma shumë ëndrra dhe projekte për Durrësin, kemi shumë shpresa për të ardhmen të cilën së bashku mund ta bëjmë më të mire për të gjithë qytetarët e këtij vendi, pavarësisht ngjyrimit të tyre politik.
Përballë jush, PS ka hyrë në këtë fushatë me një program ambicioz pjesë nga i cili kryetari i kësaj partie ka prezantuar edhe në qytetin e Durrësit. Ju sigurisht do t’i kundërshtoni ato, por cilat janë argumentet tuaja se ky program nuk do të ketë suksesin që parashihet nga drejtuesit socialistë?
Fakti që një aktor si Beppe Grillo fiton 25% të votave në Itali, duket që e ka frymëzuar Ramën që të lërë pikturën dhe të fillojë aktrimin. Ajo çka Rama foli dhe aktroi në Durrës ishte qesharake dhe dëshmoi që ai kupton pak politikë (dhe për fat të mirë tonin është në krye të opozitës) por për më tepër nuk di ku fillon dhe ku mbaron pushteti lokal nga pushteti qendror. Rama nga Durrësi, i frymëzuar dhe nga Gjushi (I referohet emrit të Vangjush Dakos, kryetar i bashkisë së Durrësit zgjedhur nga PS, sqarim i redaksisë), që për të qenë realist është “mister shkatërrimi” foli për përgjegjësi që prej vitesh i takojnë kryetarit të bashkisë së partisë së tij. Foli për cënim të trashëgimisë duke harruar masakrën e ndërtimeve me dhe “pa leje” që Dako ka frymëzuar në Durrës duke rrënuar dhe lejuar të ndërtohet mbi Durrësin e vjetër dhe trashëgiminë kulturore e historike të tij, foli për kulturën e rrënuar nga qeverisja jonë duke harruar që salla dhe pallati në të cilin ai aktroi, menaxhohet nga fondet e bashkisë së Durrësit, foli për rrënim të kulturës duke harruar që fondet e kulturës së bashkisë shkojnë për festivalet e nënkryetarit të bashkisë dhe miqve politikë të Gjushit, foli për mungesë idesh dhe fondesh që mbështesin artin pamor, duke harruar që Gjushi ngriti një galeri për turp për këtë art në mes të Durrësit, që të nxjerrë mallin e dyqaneve të kohës së Enverit! Për kë fliste Rama në Durrës, më duket se vetëm ai nuk e kuptoi! E ndërsa fliste për këndvështrimin e tij dhe të Gjushit mbi turizmin, harroi që në Durrës nuk ka një zyrë për të informuar turistët, që për të qenë të sinqertë kanë qenë të shumtë në vitin që lamë pas dhe për shkak të krocierave të shumta në Portin e Durrësit, nuk ka një uebsite të bashkisë apo një guidë çfarë dhe si duhet vizituar në Durrës, për të mos folur për semaforët që kurrë nuk punuan në këto 6 vjet dhe trafikun që kurrë nuk e zgjidhën kryetarët e tij të bashkisë me parkingje dhe zgjidhje infrastrukturore dhe për të përfunduar në një përgjegjësi direkte të bashkisë mos pastrimin dhe administrimin e plazheve të qytetit. Rama, me cinizmin e tij në ekstrem, fyeu rëndë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, kur tha që ai dhe Gjushi “nuk do të lejojnë më, që Durrësi të shihet vetëm si vendi ku vihet për plazh me bukë me vete në korrik dhe gusht”, duke harruar që pasuritë e natyrës i përkasin të gjithëve dhe duke dëshmuar se demagogjinë e tij për politika ndaj të papunëve dhe të varfërve askush nuk mund ta besojë në këtë vend. Aktrimi i Ramës dhe babëzia e shpurës së tij në bashkinë e Durrësit, konfirmon që Rilindja është një slogan a program që nuk mund të bashkëjetojë me masakrën e tyre në plazhin e Durrësit dhe prishjen e urbanistikës së Durrësit, amfiteatri për të cilit ai thërret aq shumë është e vështirë ta gjesh sepse pallatet dhjetrakatëshe me lejen e Gjushit e kanë rrethuar atë. Programi i Ramës dhe fjala e tij në Durrës, i drejtohen po Ramës dhe njerëzve të tij që çdo ditë keqadminstrojnë qytetin, të sotmen dhe të ardhmen e tij.
Z. Cara, kalojmë në një argument tjetër që lidher me zgjedhjet. Pjesë shumë e rëndësishme e fushatës elektorale për këto zgjedhje është edhe lista me të cilën PD do të hyjë në këtë garë, pra në 23 qershor. Lexuesit e agjencisë së lajmeve NOA.al dhe më gjerë gjithë qytetarët, duhet të dijnë se kush janë kriteret me të cilat do të përcaktohet kjo listë. Dhe në vijim të kësaj pyetjeje, a janë bërë hapa konkretë në këtë drejtim?
Është shpejt të flitet për listë, më tepër rëndësi ka që të punohet çdo ditë për fitoren dhe ne këtë po bëjmë. Partia Demokratike është një parti që ka ditur të mbajë rreth vetes njerëzit që në vite kanë kontribuar në fitoren dhe suksesin e saj. Besoj që ne do të dimë ta bëjmë shumë mirë këtë gjë dhe në këtë fushatë, jemi të gjithë bashkë, që nga themeluesit e PD-së së Durrësit e deri tek ata që sapo janë anëtarësuar.
Në këtë fushatë elektorale po flitet për një rol të rëndësishëm të partivë të vogla, kryesisht ato që kanë dalë nga PD, e kam fjalën për FRD. Sa ndikim ka në Durrës kjo forcë e re politike të cilën ju e keni cilësuar që bashkë i bën mosmirënjohja?
Besoj që përgjigjen për FRD e kam ezauruar në intervista të tjera dhe mendoj që gjykimi im për ta nuk ndryshon. Për të qenë i sinqertë, i mbetem mendimit që dy apo disa njerëz që PD-ja u dha mundësinë të drejtonin disa nga institucionet më të mëdha në këtë vend, treguan që meskiniteti dhe ambiciet e vogla përkundrejt pushtetit të madh që ata patën, i çuan në një aksion politik pa krye! A mund të më thuash kush është qëllimi dhe ambicja e tyre më e madhe në këtë moment? Çfarë mund të bëjë Topi apo Oketa me partiçkën e tyre?! Të ndryshojnë politikën në Shqipëri?! E kush mund ta besojë! Bamir Topi cënoi si askush tjetër presidencën duke e kthyer në seli të grupimit të tij politik të mllefit ndaj PD-së, dhe për më tepër ai dhe Oketa, që akoma mban në Parlament vendin e marrë me votat e PD, po luftojnë sot për çfarë, për të qenë deputetë?! Inati dhe mosmirënjohja nuk besoj se jo ata, po askujt nuk i kthen më reputacionin e humbur dhe për më tepër nuk mund të bindë askënd në këtë vend. Nuk do të doja të vazhdoja më gjatë se historitë e largimeve nga PD asnjëherë nuk kanë qenë të suksesshme dhe kjo tanimë është mëse e provuar.
/noa.al/