Shefi i zjarrfikësve të Rinasit së bashku me 16 kolegë prej ditës së djeshme ndodhen tek magazinat e qendrës tregtare ku zjarri vijon prej dy ditësh.

Adem Statovci me kolegët e tij ka shkuar vullnetarisht në magazinën e zjarrit për të ndihmuar shuarjen e flakëve.

Situatën e konsideron të vështirë për shkak të pozicionit të magazinave ku ka rënë zjarri.

“Situata për momentin është e vështirë, ka zjarre të brendshme që nuk kanë arritur të fiken ditën e  djeshme. Jemi duke bërë çdo gjë që kemi mundësi për të përfunduar këtë

Kemi ardhur me ekipe nga aeroporti i Rinasit, jemi 16 çuna për të ndihmuar aksidentin. Jemi informuar nga mediet se nuk na ka thirrur askush zyrtarisht, kemi ardhur vullnetarisht.

Të gjithë çunat kanë ardhur vullnetarisht janë jashtë detyrës. Pajisja që kemi ofruar ne është në pajisje që mundëson frymëmarrjen e vazhdueshme, dhe i ndihmon zjarrfikësit të fikin zjarrin. Situata në krahasim me dje është më e mirë, intensiteti i zjarrit të madh është fikur dje në orët e vona.

Ka shumë materiale të ndezshme që kanë ekzistuar në atë hapësirë, është hapësirë e vogël për gjithë ato materiale prandaj qasja te zjarri është shumë e vështirë.
Ka dhe pjesë të mureve që janë shembur dhe avancimi është shumë i vështirë. Nëse ka rroba, këpuca në trashësi prej 1 metër qasja është e vështirë.
Besoj që gjatë ditës së sotme do fiket zjarri. Pjesa tjetër e ndërtesës nuk rrezikon pasi intensiteti i zjarrit të madh është fikur dje.”
shprehet shefi i zjarrfikësve.

Shefi i zjarrfikësve shtoi se për momentin është e vështirë të kërkohet për trupin e 33 vjeçarit pasi për momentin po punohet për shuarjen e flakëve dhe kërkimi i trupit merr kohë pasi duhen pastruar mbetjet nga zjarri.

“Kjo punë e kërkimit të trupit është shumë problematike se jemi marrë me fikjen e zjarrit, duhen pastruar mbetjet më parë pastaj të fillojë kërkimi. Temperatura e zjarrit e matur ditën e djeshme në magazinë ishte  980 gradë celcius.”