Qazim Rasha ka folur sot për mediat ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca paraprake për policin Nevaldo Hajdaraj, të akuzuarin për vrasjen e djalit të tij 25-vjeçar Klodian Rasha.

Babai i të riut tha se prania e tij sot në seancën gjyqësore ishte për të dëgjuar çfarë do të thotë drejtësia, të cilën ai e ka kërkuar që ditën e parë, për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi familjen e tij.

“Plaga ime është edhe e juaja. Kam kërkuar që ditën e parë drejtësi e vetëm drejtësi. Sot erdha të dëgjoj, të shikoj në sy, ballë për ballë cfarë do thotë drejtësia. Mendoj që tragjeti të tilla mos përjetojë asnjë familje, asnjë zemër nane të mos plagoset, asnjë zemër vajze e djali mos vritet në mënyrë makabre si puna e djalit tim. Për sot kaq, kemi kohë edhe do flasim”, tha Qazim Rasha për mediat.