Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Britaninë e Madhe ku 21-vjeçari shqiptar, Renato Geci është vrarë pas një sulmi me thikë. 

Geci ndodhej nën shoqërinë e një personi rreth të 20-ave, identiteti i të cili nuk bëhet me dije, ku mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital.

Ndonëse menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e emergjencës, 21-vjeçari shqiptar u shpall i vdekur në skenën e krimit.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë vënë në pranga dy persona, një 31-vjeçar që u arrestua nën akuzën e vrasjes, ndërsa një grua 27-vjeçare u prangos nën dyshimet për bashkëpunim në krim. Ata ndodhen në ambientet e paraburgimit në një stacion policor në Londër.

Banorët në lagjen ku ndodhi ngjarja thanë se dëgjuan të bërtitura fillimisht, ndërsa më pas sirenat e policisë.

“U zgjuam nga sirenat e policisë. Ishte shumë shokuese. Të gjithë banorët po më pyesnin se çfarë ka ndodhur”, tha Afzaal Kiani, i cili banonte vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë detektivi Garth Hall kërkoi bashkëpunimin e njerëzve për çdo informacion të mundshëm në lidhje me ngjarjen.

“Po kërkojmë për kamerat e sigurisë. Keni parë ndonjë aktivitet të dyshimtë në rrugë? Nëse keni parë ndonjë gjë që ju është dukur e pazakontë, qoftë kjo edhe e parëndësishme kemi nevojë që të na e tregoni”, tha ai.