BUENOS AJRES, 15 mars 2013 – Aktivistët e të drejtave të njeriut kritikojnë Papën e ri për mosdistancim nga regjimi diktatorial në Argjentinë, në vitet 1970.

Por dëshmi për këto pohime nuk ka.

Jo të gjithë argjentinasit janë të kënaqur me Papën e ri.

Presidentja e Argjentinës Cristina Fernández de Kirchner e ka uruar me vonesë dhe me tone të ftohta Papën e ri për zgjedhjen në këtë post, gjë që edhe pritej.

Presidentja me synime populiste dhe Papa i ri konservator nuk kanë qenë kurrë në ndonjë miqësi politike.

Kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.

Të tjerët kanë jo vetëm disa rezerva ndaj zgjedhjes së Papa Françeskos, por mendojnë madje se kjo zgjedhje ishte e gabuar.

“Ne kemi menduar në fillim se po bëhej fjalë për ndonjë shaka. Zgjedhja e tij për ne nuk është e mirë”, thotë Graciela Lois, nga organizata e të burgosurve dhe të zhdukurve për shkaqe politike.

Graciela Lois dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut pohojnë se Françeskoja ka qenë tepër i afërt me regjimin diktatorial të viteve 1970.

Në atë kohë Horhe (Jorge) Mario Bergoglio ishte shef i jezuitëve në këtë vend.

Kritika të rënda

Ai duket se ka pasur dijeni për rrëmbimet dhe keqtrajtimet e kundërshtarëve të regjimit.

Carlos Pisoni nga shoqata HIJOS, e cila ende kërkon viktimat e zhdukura në kohën e diktaturës pohon:

“Ka dëshmi të mjaftueshme se Bergoglioja ka luajtur një rol aktiv në kohën e diktaturës ushtarake.

Mendohet se ai u ka dhënë ushtarakëve informacionet e duhura dhe nuk ka kontribuar sa duhet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”.

Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për rrëmbimin e dy priftërinjve të rinj jezuitë në vitin 1976, dhe mbajtjen e tyre në qendrën për keqtrajtime ESMA.

Pas lirimit të tyre pesë muaj më vonë flitej se pikërisht Bergoglioja i ka denoncuar.

“Ai nuk e ka marrë seriozisht përgjegjësinë e tij si udhëheqës jezuit dhe nuk i ka mbrojtur ata sa duhet”, pohon aktivistja Graciela Lois.

Për këtë shkak e ka denoncuar atë në gjykatë një avokat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitin 2005, pak kohë para zgjedhjes së kardinalit Joseph Ratzinger në postin e papës, në kohën kur konkurronte edhe Bergoglioja.

Në një rast tjetër, të zhdukjes së një gruaje të re në kohën e diktaturës, vëllai i saj ka kërkuar ndihmë prej Bergoglios, por pa sukses.

Dëshmi nuk ka

Të dyja këto raste kanë mbërritur edhe para gjykatave, kur Bergoglioja ishte i ftuar si dëshmitar.

Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe siguronte se edhe personalisht është takuar me diktatorin Horhe (Jorge) Rafael Videla, nga i cili ka kërkuar lirimin e dy priftërinjve.

Ai ka hedhur poshtë kritikat edhe në autobiografinë e tij.

Dëshmi për fajin e Bergoglios deri tani nuk janë paraqitur para gjykatave dhe as nuk është ngritur kurrë ndonjë aktakuzë.

Por jo pak njerëz janë të mendimit se pas këtyre akuzave qëndron një fushatë politike kundër teologut konservator.

Avokatët e tij thonë se ai i ka fshehur madje edhe kundërshtarët e regjimit dhe i ka ndihmuar të ikin jashtë vendit.

Papa i ri ka mbështetjen e personit me autoritet jo vetëm në Argjentinë, por edhe në mbarë botën: Adolfo Pérez Eskivel (Esquivel), i cili në vitin 1980 është nderuar me çmimin Nobel për Paqe, për angazhimin e tij për të drejtat e njeriut.

“Papa i ri nuk ka pasur asnjë lidhje me diktaturën”, pohon Adolfo Pérez Esquivel duke shtuar:

“Ka pasur peshkopë që kanë qenë të afërt me diktaturën, por Bergoglioja përfundimisht jo”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” sipas DW/