VATIKAN, 13 mars 2013 – Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio, një intelektual i cili modernizoi atë që konsiderohej si një nga degët më konservatore të kishës katolike në Amerikën Latine, do të pasojë Papa Benediktin XVI.
Ai do të quhet Papa Francesko I.
Bergoglio është Papa i parë jezuit. Ai është 76 vjeç dhe thuhet se ka marrë numrin e dytë më të madh të votave pas Joseph Ratzinger në zgjedhjen e papës në vitit 2005.
Fillimisht me profesion kimist, kardinali Bergoglio ka dhënë mësime në letërsi, psikologji, filozofi dhe teologji para se të merrte detyrën si kryepeshkop i Buenos Airesit në vitin 1998.
Brenda vetëm gjashtë vjetëve, nga prift i një manastiri të vogël në një provincë, ai u bë kryepeshkop i Buenos Airesit dhe më pas Kardinal kryesor i Argjentinës. Karriera e tij ka qenë mahnitëse, thonë analistët.
Fjalimi i parë i Papës së ri
Jorge Mario Bergoglio, Papa i ri i cili do të drejtojë Vatikanin, përshëndeti gjithë besimtarët e pranishëm në sheshin San Pietro.
“Detyra e Konklavës ishte për ti dhënë Papën popullit, duket se vëllezërit vajtën e morën nga fundi i botës. Para së gjithash dua të lutem për Papa Benediktin e XVI, të lutemi që Zoti ta bekojë dhe të kujdeset për të. Uroj të kemi rrugë vëllazërie besimi dhe dashurie mes nesh, që të ketë vëllazëri të madhe”, deklaroi Papa i sapozgjedhur i cili do mbajë emrin Françesko, duke u bërë Papa i parë që do mbajë këtë emër.
Ai uroi që në rrugën që nis sot të jetë i frytshëm, duke kërkuar lutjen e popullit që ta bekojë në rrugën e tij.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/