Shqipëria ka ndaluar importet e mishit nga Brazili. Shteti latin mbulonte një të tretën e tregut shqiptare të mishit, ndërsa zëvendësimi i tij me tregje të tjera mund të sjellë kosto më të larta.
Mishi i Brazilit nuk do të vijë më në Shqipëri, duke nisur nga kjo e enjte. Ndalimi i importeve i kërkuar nga Bashkimi Europian heq nga harta tregtare edhe vendin tonë, i cili deri më tani ka pasur Brazilin si pikë referimi për sasinë e mishit që vinte.
Të dhënat tregojnë se vetëm këtë vit, nga janari deri në korrik, janë importuar 28 mijë tonë mish dhe të brendshme. Nga kjo sasi, 9200 tonë, ose 33% e sasisë, erdhën nga shteti latin.
Pra, afërsisht një në çdo tre kilogramë mish të importuar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe ka ardhur nga tregu brazilian.
Për krahsim, në vitin 2021, Brazili përbënte 16% të importeve shqiptare. Në 2022 kjo peshë u rrit në 21%, në 2023 në 27%, ndërsa në vitin 2025 arriti në 29%.
Me ndalimin e kësaj rruge tregtare, importuesit do të kërkojnë alternativa në tregje të tjera dhe, nëse këto furnizime rezultojnë më të shtrenjta, mund të krijohet presion për rritjen e çmimeve. Megjithatë, është ende herët të thuhet nëse kjo do të reflektohet drejtpërdrejt tek konsumatori.





