Kryqi i Kuq shpërndan në Evropë më shumë ndihma se kurrë që prej Luftës së Dytë Botërore. Kriza ekonomike ka si pasojë varfërinë masive. Veçanërisht dramatike është situata në Bullgari dhe Spanjë.
"Edhe njerëz nga shtresa e mesme, të cilët në familjet e tyre kanë humbur një ose dy vende pune, kanë papritur nevojë për ndihmën tonë", thotë zëdhënësi i Kryqit të Kuq José Javier Sánchez Espinosa. Për shkak të varfërisë në rritje, Kryqi i Kuq shpërndan ndihma ushqimore në plot 20 vende anëtare të BE-së. Vetëm në Spanjë, tre milionë njerëz jetojnë me këto ndihma.
Nga organizata humanitare ata marrin jo vetëm ushqime, por edhe ndihma financiare për të paguar qiratë dhe faturat e ujit dhe të energjisë.
Pasojat sociale të krizës ekonomike shqetësojnë edhe Komisionin e BE-së. Për këtë arsye Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso, do të tematizojë pasojat e krizës në samitin e pranverës të BE-së. Sipas një raporti të Komisionit, nga rreziku i një varfërie afatgjatë janë të prekur para së gjithash të rinjtë, migrantët dhe ata që rrisin pa partner fëmijët. "Ndarja e shoqërisë duhet të luftohet në të gjitha nivelet. Kjo fillon me vendosjen e një page minimale, e cila mjafton për të siguruar ekzistencën", thotë në intervistë për DW Christoph Butterwegge, politolog dhe studiues i varfërisë.
Hendeku social po zgjerohet
Që prej fillimit të krizës ekonomike 2008, sipas të dhënave të BE-së, në thuajse gjysmën e shteteve anëtare të BE-së është shtuar rreziku i varfërisë. Më dramatik është zhvillimi në Bullgari, ku në vitin 2011 gjysma e popullsisë ishte e rrezikuar nga varfëria apo përjashtimi social.
Apeli i Kryqit të Kuq nxjerr edhe një herë qartazi në pah dallimet rajonale brenda Evropës. Në Gjermani organizata nuk shpërndan ndihma ushqimore. Në Greqi sipas Medico International, një organizatë humanitare dhe për të drejtat e njeriut, shumë njerëz nuk mund të paguajnë më sigurimin shëndetësor. "Kur vendet janë shumë të varfëra dhe paratë nuk janë të mjaftueshme, atëherë organizatat humanitare duhet t'u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë. Ky është një zhvillim i ri në Evropë", shpjegon Fredrik Barkenhammar, zëdhënës shtypi i Kryqit të Kuq gjerman, në bisedë për Deutsche Welle-n.
Në disa vende të BE-së Kryqi i Kuq është prej kohësh aktiv. Atje organizata ka ngritur një program për ndihmë me ushqime që funksionon në sajë të dhurimeve. "Varfëria po depërton deri në qendrën e shoqërisë. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me ndekjen e një politike që lehtëson shtresën e lartë, për shembull në aspektin fiskal", shpjegon Christoph Butterwegge. Në përgjithësi më të prekur janë vendet në Evropën Lindore, pasi atje njerëzit si rregull kanë më pak kursime dhe sistemet e sigurimit social janë më të dobëta se në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.
Spanja – humbësja e krizës
Në Spanjë Kryqi i Kuq vitin e kaluar ka kërkuar dhurime për njerëzit në nevojë brenda vendit dhe jo për ata në vendet në zhvillim. Veç kësaj zhvillohet një fushatë për t'u ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve të prekur më rëndë nga papunësia e lartë. Nën moton "Tani më shumë se kurrë", brenda dy viteve të ardhshme duhet të mblidhen 30 milionë euro për rreth 300.000 njerëz në nevojë në Spanjë. Në të gjithë vendin janë ngritur pika për mbledhjen e ndihmave. "Kjo është vetëm një pikë uji në tokën e thatë", ankohet studiuesi i fenomenit të varfërisë Christoph Butterwegge. "Kështu mund t'u vihet ndoshta në ndihmë njerëzve të veçantë, por nuk është kjo zgjidhja e problemit. Për zgjidhjen e tij nevojitet një politikë tjetër ekonomike, fiskale dhe sociale".