(Vijon nga numri i djeshëm)

DURRES, 11 mars 2013- Diferenca e moshës me Ajshe Vatën, për Shaban Norjën nuk ka qenë kusht për të krijuar marrëdhënie me të.

I pyetur gjatë intervistës 81-vjeçari pohon se disa prej shoqeve të viktimës 18-vjeçare kishin lidhje me pensionistë.

Këtë e argumenton me faktin se me të moshuarit nuk u zbulohej lidhja dhe nuk i keqtrajtonin vajzat.

Por ai mohon t’i ketë dhënë para apo mjete të tjera Ajshes, veç një shume prej 50 eurosh të një rasti kur ajo ka shkuar në ekskursion në Kosovë.

Ju kishit një diferencë tepër të madhe moshe për një lidhje normale. Çfarë ju mbante të lidhur?

Pavarësisht diferencës së moshës, mes nesh kishte edhe dashuri. Unë e doja atë vajzë dhe jam plotësisht i bindur se edhe ajomë ka dashur mua. Ajshja nuk qëndronte me mua as për para dhe as për gjëra të tjera materiale. Ajo ishte një femër fisnike. Gjatë gjithë kohës që kemi qenë bashkë, Ajshja më ka kërkuar vetëm një herë 50 euro. Donte të shkonte me shoqet e shkollës në Kosovë. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që Ajshja ka kërkuar para nga unë. Edhe shoqet e saj kanë zgjedhur të lidhen me pensionistë. Njoh dy-tri shoqe të Ajshes, të cilat kanë lidhje të ngjashme me këtë timen. Kjo është kthyer si praktikë për vajzat e reja dhe sidomos ato të shkollës së medresesë. Ato nuk preferojnë të lidhen me djem të moshës së tyre, pasi së pari nuk duan që të zbulohet lidhja, nuk i kënaqin seksualisht dhe i keqtrajtojnë. Ajshja më kishte thënë se edhe dy shoqet e saj në shkollë kanë lidhje me dy pensionistë dhe më duket se vazhdojnë të kenë lidhje akoma. Tani që e mendoj, them se nuk duhet të isha përzier kurrë me atë vajzë, sepse e mora në qafë.

Shaban, në zonë njiheni si rebel…

Nuk është aspak e vërtetë. Ngjarja e fundit mund t’i ketë ndryshuar gjërat, por unë nuk prishja kurrë qejf me njeri. Më njeh i gjithë Shijaku dhe zona përreth. Është e vërtetë që unë nuk qarkulloja asnjëherë i paarmatosur, sepse siç ta shpjegova, e kemi si traditë mbajtjen e armëve në shtëpi, por nuk kisha prishur qejf me asnjë. Mua më respektonin të gjithë, jo vetëm në Shijak, por edhe në Xhafzotaj e Durrës. Armën e mbaja me vete për qejfin tim. Pas kësaj që bëra do të jetë normale të kenë ndërruar mendim, pasi veprimi im është i pafalshëm. Gabova shumë rëndë dhe për këtë jam penduar thellësisht.

Pas ngjarjes, familja Vata, por edhe e juaja, kanë braktisur gjithçka dhe janë larguar nga Shqipëria…

E di, sepse më kanë thënë që Muhameti me familjen kanë ikur në Suedi. Më vjen shumë keq dhe nuk jam aspak krenar për atë që kam bërë, por m’i mori Zoti mend në një moment dobësie. Jam penduar për vdekje që qëllova mbi atë vajzë. Më del gjumi natën dhe thuajse qaj çdo natë për atë që bëra. Gjithashtu, bëra gabim që nuk vrava edhe veten kur qëllova Ajshen. E mendova dhe për një moment isha pranë vetëvrasjes, por mendova që duhet të çoja amanetin e saj deri në fund. Sipas Ajshes, unë duhet të qëndroja gjallë për të fshehur kokën e saj që të mos identifikohej. Më mirë t’i kisha dhënë fund jetës, se sa të jetoj vitet e mbetura këtu dhe me një peshë kaq të madhe faji.

A jeni ambientuar me vendbanimin e ri?

Në fakt, kur erdha në fillim isha shumë i hutuar, por më pas gjithçka u normalizua. Fillimisht nuk kisha asnjë shok këtu, ndërsa tani më afrojnë të gjithë. Ua shpjegova se përse ndodhesha këtu dhe të gjithë më kuptuan. Në fakt, ata e dinin përpara se unë të mbërrija këtu për ngjarjen dhe për atë që kisha bërë. Normale fillimisht mbanin distancë dhe më kërkonin llogari për atë që kisha bërë. Më pas u miqësova me të gjithë dhe kam mardhënie të mira me ta. Ndaj një pjesë të mirë të kohës e kalojmë duke luajtur tavëll, por diskutojmë edhe për tema të ndryshme.

Ju keni qenë edhe më herët i burgosur. Pse?

Po kam qenë edhe më parë në burg dhe pikërisht në vitin 1951. Atëherë dënimin e vuajta për armëmbajtje pa leje. Kisha një armë gjahu. Më kapën dhe më dënuan mbi dy vjet.

Shaban, ju prisni urdhrin e transferimit për në një burg tjetër….

Po, po pres që të transferohem. Këtu u ambientova dhe kaloj mirë, por tani më duhet të përshtatem në një vend tjetër dhe me shokë të rinj. Nuk është se kam ndonjë problem, se në cili burg do ta kaloj pjesën e mbetur të jetës, sepse në fund të fundit qelitë njëlloj janë kudo. Vetëm në burgun e Krujës nuk kam dëshirë të shkoj.

Pse nuk do të shkosh në burgun e Krujës?

Dy të burgosur që nuk i njoh më kanë dërguar llafe se po më presin për të më hequr qafe. Si duket do jetën donjë nga të afërmit e Muhametit.  Megjithatë, unë nuk kam frikë, sepse di si ta mbroj veten time. Nuk e di se kush janë dhe si quhen, por më bëjnë presion vazhdimisht duke më dërguar llafe, se po shkova atje do të më copëtojnë. Nuk kam frikë, por edhe qejf nuk kam të shkoj atje, sepse do të më pëlqente të shkoja në Rrogozhinë ose Peqin. Megjithatë, do bëhet çfarë të jetë shkruar.

Shaban, ju u dënuat me 25 vite burg.Mendoni se keni marrë dënimin e merituar?

Pas asaj që bëra nuk me intereson fare se sa do të dënohesha. 25 vjet, duke llogaritur edhe moshën që jam aktualisht (81 vjeç), nuk pretendoj të dal më i gjallë nga burgu, por besoj se e kam hak. Kjo që bëra unë, është një vepër shumë e rëndë, prandaj nuk do të kundërshtoja asnjë lloj dënimi që do të jepte gjykata. Nuk gënjej kur them se e kam menduar seriozisht të vrisja edhe veten.     

Po përpara se të ndodhte krimi si ishte jeta juaj. Pra, si e kalonit ditën?

Kaloja mirë, pasi nuk më mungonte asnjë gjë. Paratë nuk më mungonin, madje me dilnin dhe më tepronin. Përveç pensionit më dërgonin para dhe vajza e djali. Paradite dilja takohesha me shokë, pinim ndonjë kafe, nga mesdita kryeja ndonjë punë në kopësht. Këto në përgjithësi… Jam vendali dhe më njihnin të gjithë në zonë. Gjithashtu kisha raporte të mira thuajse me të gjithë banorët e zonës. Pothuajse kohën më të madhe të ditës e kaloja me bashkëmoshatarët e mi, fqinjët. Shkonim e vinim tek njëri-tjetri, por edhe dilnim bënim pazar së bashku. Kisha shumë të njohur, sepse jam vendali dhe jetoj prej kohësh në këtë zonë. Fëmijët i kisha rregulluar. Djali ka krijuar familje dhe jetonte në Itali, ndërsa vajza kishte një familje të shëndoshë në Kavajë. Për disa vite jetova i vetëm në shtëpi. Kohët e fundit djali kishte ardhur së bashku me familjen, për të qëndruar. Por pas kësaj që ndodhi u kthye sërish në itali.  

Flisje me ndonjë prej shokëve të tu, në lidhje me femrat?

Në përgjithësi, po. Flisnim për tema të ndryshme, por nuk hynim tek ato personale. Ndërsa për lidhjet e mia nuk i kam treguar askujt.

Keni kontakte me botën jashtë, ose më saktë kontaktoni me të afërmit tuaj?

Po, pa diskutim, gjithçka që ndodh jashtë merret vesh këtu brenda. Këtu vijnë të gjitha informacionet. Po kohët e fundit kam folur me të afërmit e mi që ndodhen jashtë shtetit. Kam folur me vajzën, por edhe me disa nipa të mi që jetojnë prej vitesh në Gjermani. Më dërgojnë gjithçka më nevojitet. Së fundmi vajza më ka sjellë një kuti shahu për të kaluar kohën këtu, por edhe ushqime dhe veshmbathje.

Nëse do ta kthenit kohën pas, çfarë do të bënit nëse do ndodheshit në të njëjtën situatë?

Nuk e di se çfarë mund të bëja, por me siguri që nuk do të merrja këtë vendim. Do mundohesha të gjeja një zgjidhje tjetër, qoftë edhe për ta mbajtur fëmijën. Vetëm këtë që bëra nuk do ta përsërisja kurrë më. Duhet të isha treguar pak më i zgjuar dhe ta kisha menaxhuar më mirë situatën me vajzën dhe nuk duhet ta kisha lejuar ta rrëmbente paniku kur mori vesh se kishte mbetur shtatzënë. I mora jetën një krijese të pafajshme dhe kjo është e pafalshme për mua. Nuk do t’ia fal kurrë vetes këtë që bëra.  

/gazeta “Panorama”/