SIRI, 10 mars 2013- 21 paqeruajtës të rrëmbyer nga kryengritësit sirianë gjatë javës iu dorëzuan në kufi autoriteteve jordaneze këtë të dielë, informuan agjensitë ndërkombëtare të lajmeve.
Në një deklaratë, qeveria jordaneze qartësoi se dorëzimi i paqeruajtësve ishte vullnetar dhe se Amani zyrtar nuk kishte mbajtur ndonjë komunikim me rebelët për të negociuar dorëzimin.
21 paqeruajtësit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shumica e të cilëve filipinas, u ndaluan nga kryengritësit pranë një fshati në Lartësirat Golan, në kufirin siriano-izraelit.
Pengmarrja e vëzhguesve u pasua me protesta të ashpra dhe tone kërcënuese nga ana e OKB-së.
Pas rrëmbimit, Fronti Kombëtar Sirian, organizata që koordinon veprimet dhe luftimet kundër qeverisë së Bashar al-Assad u shpreh se pengmarrja ishte vepër e një fraksioni autonim brenda rebelëve.
Megjithatë, në një deklaratë, presidenti i FKS-së, Moaz al-Khatib, theksoi këtë të dielë se në fakt paqeruajtësit nuk ishin marrë peng, por vetëm shoqëruar nga kryengritësit, për t’i larguar ata nga një zonë luftimesh ku jeta e tyre ishte e kërcënuar.