I dyshuari për sulmin gjatë aktivitetit të “Paradës së Krenarisë” (Pride) në Berlin është vrarë nga policia gjermane gjatë një operacioni kërkimi, raportojnë mediat vendase.

Sipas transmetuesit rajonal Rundfunk Berlin-Brandenburg (RBB), personi i identifikuar si Abdul Ballout, 21 vjeç, u qëllua për vdekje nga forcat e rendit në një kompleks kopshtesh në zonën Spandau të kryeqytetit gjerman.

Pas sulmit, policia gjermane kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi, ku morën pjesë qindra efektivë, me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e të dyshuarit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, gjatë një aktiviteti të komunitetit Pride në Berlin, ku si pasojë e sulmit u raportua për dhjetëra persona të lënduar.

Autoritetet gjermane kishin bërë të ditur më herët se Ballout, i lindur në Gjermani me prejardhje libaneze, ishte i lidhur me atë që policia e përshkroi si “skena islamiste” në Berlin.

Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit dhe rrethanave që çuan në ngjarje janë ende duke vazhduar. Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje pas analizimit të provave të mbledhura gjatë hetimit./TELEGRAFI