SHBA, 08 mars 2013– Autoritetet amerikane kanë njoftuar se kanë zënë dhëndrrin e Osama bin Ladenit, i cili dikur ishte zëdhënës i Al-Qaedas.

Zyrtarët thanë se Sulaiman Abu Ghaith pritet që të premten të përballet me seancën dëgjimore në Nju Jork në lidhje me akuzat për terrorizëm.

Ghaith thuhet se u arrestua në Jordani, pas një paraburgimi fillestar në Turqi, dhe u dërgua në Nju Jork.

Departamenti i Drejtësisë tha Ghaith akuzohet se ka bërë komplot “për të vrarë shtetasit e Shteteve të Bashkuara.”

Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se arrestimi tregon se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të dorëzohen në ndjekjen e militantëve të Al-Qaedas, që fajësohen për kryerjen e sulmeve me avionët e rrëmbyer më 11 shtator të 2001-ës.

Ghaith, thuhet të jetë rreth 47 vjeç dhe të ketë lindur në Kuvajt.