Policia italiane ka bërë të mundur arrestimin e një nga kriminelëve të renditur në listën e mafiozëve më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga Ministria e Brendshme Italiane.
Mario Giulio Calderone, 64 vjeç, bosi i klanit mafioz Barcellonesi me veprim në komunën siciliane Barcellona Pozzo di Gotto, në provincën e Messinas, e një nga grupet kriminale më historike të Cosa Nostras palermitane e kataneze, u arrestua një ditë më parë në Greqi në afërsi të Larisas, raportojnë mediat e huaja.
Mario Giulio Calderone, ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane prej 10 vitesh e ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti europian. Calderone është dënuar nga Gjykata e Apelit me 6 vjet e 11 muaj burg në kuadër të operacionit “Mare Nostrum”.
Bosi mafioz u arrestua në një banesë në Pyrgos – Polydendri Agias, ku edhe partnerja e tij jetonte prej kohësh nën një emër fals.
Arrestimi u bë i mundur falë aktivitetit investigativ të Antimafias siciliane në bashkëpunim me autoritetet policore greke pjesë e operacionit European Network of Active Fugitive Search Teams.





