Kanë nisur në Elbasan dëgjesat publike për projektin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, një iniciativë e ndërmarrë nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studio arkitekturore ndërkombëtare.

Megjithatë, projekti duket se është pritur me rezerva dhe kritika nga një pjesë e banorëve të zonës historike, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë ndërhyrja mbi pronat private dhe identitetin e lagjes.

Gjatë dëgjesës publike, anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Valbona Balliu, kundërshtoi projektin, duke argumentuar se Kalaja nuk është thjesht një monument kulture, por një zonë e banuar ku familjet kanë ndërtuar jetën e tyre prej brezash.

“Kalaja është zonë e banuar. Qytetarët kanë ndërtuar jetën e tyre në atë lagje, kanë prona të trashëguara brez pas brezi dhe vini ju ua merrni oborrin, një pronë private. Ndërtoni rrugica aty ku historikisht nuk kanë qenë. Me çfarë të drejte prekni pronat e qytetarëve për të ndërtuar rrugica që nuk kanë ekzistuar?”, u shpreh Balliu.

Ngjashëm me projektin TID në Durrës, edhe në projektin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit aktorët e bashkëpunimit janë mes Bashkisë, Ministrisë së Turizmit dhe AADF-së, çka ka sjellë krahasime dhe debate mbi mënyrën e zhvillimit të projekteve të tilla në zonat historike.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, ka mbrojtur projektin, duke theksuar se synimi i tij është ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi ekonomik i zonës.

“Ky projekt synon jo vetëm restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë të çmuar, por edhe krijimin e një hapësire më funksionale, që do t’i japë Kalasë një dimension të ri zhvillimi, duke nxitur turizmin, artizanatin, kulturën dhe ekonominë lokale”, deklaroi ai.