Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 37-vjeçarin Albert Zaja, i cili dyshohet se ka ekzekutuar më 1 shkurt Shkëlzen Kastratin.
Në seancën e sotme mësohet se Zaja nuk ka pranuar akuzën për vrasjen e Shkëlzen Kastratit ndërsa ka thënë se ka prova që ka qenë me makinën e një shoku në Vlorë ditën që ndodhi ngjarja dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e tij.
Nga ana tjetër, ai ka deklaruar se ka frikë nga hasmëritë prej kësaj çështje dhe ka kërkuar të shkojë në një burg që të jetë i sigurtë për jetën, dhe jo në atë të Fierit.
Albert Zaja është një nga autorët e dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Sipas policisë janë 4 persona të dyshuar për këtë ngjarje kriminale ndërsa tre personat e tjerë janë shpallur në kërkim.
Albert Zaja, u arrestua të dielën në Fushë-Krujë, ndërkohë që kishte edhe pistoletë me vetë, e cila i është sekuestruar nga policia.





