TIRANE, 03 mars 2013- Ndjen një lloj mërie ndaj bashkëshortes së Mirash Kolajt, mashkullit që e mbajti peng forcërisht për 22 ditë, por edhe solidarizohet me atë grua. Sepse ashtu si ajo, 21-vjeçarja e rrëmbyer Dh. Lleshi edhe Aranisa Kolaj janë mbajtur kundër dëshirës në banesë. 

Mbi të dyja femrat 37-vjeçari Mirash Kolaj ka ushtruar presion psikologjik, dhunë fizike, si dhe i ka abuzuar seksualisht në të njëjtin shtrat. Skandali i bërë publik këtë javë në gazetën “Panorama” vazhdon sot me rrëfimin e 21-vjeçares Dh. Lleshi. 

Për retrospektivë, këta të dy flisnin prej një muaji e gjysmë në telefon. Ajo, një 21-vjeçare që kishte mbaruar Pedagogjiken në Lezhë në vitin 2011 dhe që atëherë jetonte në një fshat të thellë mbi malin e Munellës, në Fan të Mirditës. Ai, një 37-vjeçar që hiqej si 27, me origjinë po nga Mirdita (Blinisht), por që jetonte në Shën Koll të Lezhës. Nuk njiheshin.

Siç u mësua pas arrestimit, Mirashi ia kish gjetur numrin së resë nëpërmjet disa djemve të zonës. Ata e kishin sfiduar 37-vjeçarin duke i thënë se “një vajzë këtu në fshat është shumë e vështirë, askush nuk e kap dot”. 

Kjo fjali ishte shndërruar si një lloj basti, ku menjëherë Mirashi kishte nisur “aksionin” duke e telefonuar. Përmes antenave të celularit ai i premtoi çdo gjë të bukur “me shumë” dhe si këmbim kërkoi fare pak: vetëm një takim, i cili ndodhi në datën 3 shkurt. 

Kjo është edhe dita kur 21- vjeçarja Dh. Lleshi njohu më në fund fytyrën e vërtetë të Mirash Kolajt. Abuzuesin seksual që ëndrrat me kurorë nuseje dhe dashuri të përjetshme ia shndërroi në makth viktime, duke kënaqur epshet e tij para bashkëshortes apo edhe vajzës së vogël 3-vjeçare. 

Këto të dyja ishin surpriza e Mirash Kolaj për 21-vjeçaren, pak orë pasi ajo e takoi dhe pranoi të hipte në mirëbesim te makina e tij, me të cilën kishte shkuar ta takonte në fshatin Munellë (Dom Gjon, komuna Fan e Mirditës). 

Historia e abuzimit përmes dhunës fizike dhe presioneve psikologjike vijoi për 22 ditë me radhë, derisa në datën 25 shkurt, policia, me anë të metodave speciale të hetimit, arriti të lokalizojë pengmarrësin. 

Sot, në intervistën e dytë dhënë për “Panorama”, Dh. Lleshi vijon tregimin e bashkëjetesës trejavore me Mirash Kolajn, bashkëshorten e tij 25-vjeçare Aranisa dhe vajzën e tyre të vogël…

Si ishte një ditë e jotja në shtëpinë e familjes Kolaj, ku pretendoni se jeni mbajtur forcërisht?

Ishte ditë që ngrysej brenda dy dhomave. Aq hapësirë kishte shtëpia. Mendoni se çfarë mund të bëjë njeriu i mbyllur gjithë ditën në shtëpi. Bëja ndonjë punë sa për t’u marrë me diçka që të kalonte koha, shihja televizor dhe vetëm rrija duke parë kot derën se mos nga çasti në çast do të vinte dikush të më shpëtonte. 

Pra, nuk është se ju ka mbajtur të lidhur apo në pranga?

Jo, nuk e kam thënë ndonjëherë këtë. Nuk jam mbajtur e lidhur apo në pranga, por më është bërë presion gjithë kohës dhe jam rrahur për të qëndruar brenda në shtëpi. Unë nuk ia kisha idenë se ku ndodhesha. Shtëpia ishte e rrethuar me një avlli të lartë dhe nuk shikoja dot përtej murit. Dyert dhe dritaret ishin të mbyllura. E mendoja që ta provoja të arratisesha, por kisha shumë frikë. Më dukej sikur Mirashi kastile kishte dalë nga shtëpia për të ruajtur pas avllie nëse do të ikja unë apo jo. Më dukej se sa do hapja derën, do më kapte. Isha në panik. E tmerruar. Nuk ma mbante që ta provoja largimin me mendjen “të dalë ku të dalë”, se e shikoja se çfarë i bënte Mirashi gruas së tij kur ajo tentoi të ikte. 

Pse, ka tentuar ajo të ikë nga shtëpia?

Po, edhe ajo ka tentuar të ikë nga shtëpia. Që ditën që Mirashi më çoi në shtëpinë e tij, bashkëshortja mori vajzën 3 vjeçe dhe donte të kthehej te prindërit, por ai nuk e la. E rrahu. Madje vajza e vogël iu fut në mes dhe i tha: “Mos babi”. Por Mirashi e shtyu vajzën e vogël dhe i gjuajti edhe asaj. Pastaj sërish pas disa ditësh ndodhi e njëjta gjë, rrahu gruan e vajzën. Duke parë veten se çfarë pësova, duke parë edhe atë grua që i çau ballin me grusht apo vajzën e vogël me shenja nga dhuna, nuk bëja dot lojëra që të bërtisja, të ikja apo t’i kundërvihesha. Mbeta në shpresë vetëm që të më kërkonin vëllezërit dhe policia. Ndërkaq nisa të ndryshoj edhe taktikë sjellje me Mirashin. Kur e pashë që nuk i dilej me sherr me atë, se veç rrihesha, atëherë nisa të shtirem sikur po pajtohesha me fatin tim. 

Ju eci taktika e re?

Deri diku, sepse ai dyshonte. Unë doja që ai të krijonte besim tek unë, sikur do t’i bindesha për çdo gjë, në mënyrë që ai të më linte të dilja edhe nga shtëpia. Se doja të dija edhe ku isha, fshatin, ambientin, a kishte njerëz rreth e rrotull etj. 

A ju nxori ndonjëherë nga shtëpia?

Po, një ditë. Javën e tretë ai nisi të zbutet, kujtoi se ndryshova mendje. Urdhëroi gruan që të vishej dhe më mori edhe mua. Na hipi në makinë dhe na çoi te një parukiere. Donte që unë të prisja flokët dhe t’i lyeja. Gjithashtu e porositi parukieren që të më bënte sa më të bukur me grim. Vetë qëndronte rreth e rrotull duke ruajtur se mos hapja gojë me parukieren. Parukierja më preu flokët e gjatë, m’i leu të verdha, m’i stiloi dhe më zbukuroi sa mundi fytyrën. Pasi më gjeti policia dhe u ktheva në familje, e shndërrova pamjen siç isha, errësova ngjyrën dhe u bëra prapë brune, por gjatësisë nuk kam ç’t’i bëj. Dua që t’i rris sërish. 

(Intervisten e plote marre nga gazetarja Elisabeta Ilnica e lexoni sot ne Panorama)