18 familje të pallatit nr.1032, të lagjes nr.6 në ish-lokalin Barons kanë protestuar sot sërish para Bashkisë Durrës.

Banorët kundërshtojnë vendimin e bashkisë për të ndërtuar një memorial për viktimat e tërmetit në sheshin e liruar nga shembja e objektit shumëkatësh.

Me pankarta në duar, qytetarët kanë kërkuar që pallati të ndërtohet në vendin ku ishte më parë.

“Kërkojmë vetëm pronën tonë, nuk po kërkojmë asgjë tjetër. Nëse nuk duan ta ndërtojnë, lë të na japin lejen e ndërtimit edhe e ndërtojmë vetë sepse ajo është prona jonë.”

Ata  shfaqen të revoltuar me kryetaren e Bashkisë ndërsa shprehen se qeveria ka vendosur që pallati të ngrihet në të njëjtin truall që ka qenë.

“Është në kundërshtim me vendimin e ministrave që ka vendosur që aty të rindërtohet pallati në të njëjtin truall ku ishte, i miratuar nga 10 ministra. Ne do vazhdojmë derisa kryetarja e bashkisë të tërhiqet dhe të ndërtohet pallati ku e kishim, si gjithë të tjerët.”

Banorët ngrenë dyshimet se trualli ku dikur ngrihej pallati i tyre është marrë nga njerëz me pushtet dhe ndaj duan t’i largojnë familjarët nga aty.

“Meqë është pallati në mes të Durrësit, dikush duhet ta ketë marrë atë për rindërtim dhe gjejnë metoda të ndryshme që ne të na largojnë nga vendi që kemi.”

Në lidhje me këtë problematikë, qytetarët kanë protestuar edhe një javë më parë para sheshit të bashkisë së qytetit, duke kërkuar që objekti i shembur të ndërtohet në të njëjtin vend.

Mirëpo, në një reagim zyrtar, Bashkia Durrës deklaroi se banorët do të strehohen në shtëpi të reja që do të ndërtohen në lagjen nr.17 në pallatin e Kastratit, ndërsa theksonte se mbetet i pandryshuar vendimi për ngritjen e memorialit në kujtim të viktimave të tërmetit në truallin e pallatit nr.1032.