SIRI, 21 shkurt 2013- Të paktën 20 persona janë vrarë gjatë një sulmi ajror pranë kryeqytetit sirian, Damask. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se, persona të tjerë nga frika janë fshehur nën rrënoja pas bastisjes së periferisë së Hamouriyehit të mërkurën.

Një grup tjetër aktivistësh, Komitetet lokale koordinuese, thonë se numri i të vrarëve është më i lartë, duke shtuar se gjatë sulmit ka pasur 35 të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Gjithashtu të mërkurën, aktivistët thanë se një raketë goditi qendrën e komandës së një grupi rebel pranë Damaskut, duke plagosur drejtuesin e grupit.

Televizioni shtetëror tha se një lojtar futbolli u vra kur një bombë goditi një stadium në qendër të kryeqytetit.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 70 mijë njerëz janë vrarë që prej kryengritjes kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Asadit në Siri e cilia filloi në mars të vitit 2011.