BRUKSEL, 19 shkurt 2013- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nisi sot takimet në Bruksel në kuadër të raundit të pestë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryeministrave. Bashkimi Evropian e quan pikërisht këtë raund si më të rëndësishmin dhe më të vështirin, sepse do të hapen temat e vështira, përfshirë edhe veriun e Kosovës.
Thaci dha një konference të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ku ky i fundit theksoi se brenda muajit qershor do të nënshkruhet Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Kosovën, nëse përmbushen kriteret.
I pyetur sesi mund të arrihet konsensus në Bashkimin Europian, kur 5 shtete ende nuk e kane njohur Kosovën si shtet, Barroso tha se KE nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e shteteve anëtare.
“Është një shtete e vetë shteteve anëtare. Ne nuk e kemi këtë kompetencë ta njohim në emër të vendeve anëtare. Pavarësisht këtij fakti që jo të gjitha e kanë njohur ne po punojmë në integrimin e Kosovës në BE. Po përgatitemi për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, dhe po ecim konkretisht drejt kësaj. Nëse ka progres, ne brenda Qershorit do të bëjmë progres konkret për Marrëdhëniet e Asociim-Stabilizimit”.
Barroso shtoi se viti 2013 do të jetë vit kyç për integrimin europian të Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga lidershipi kosovar në drejtim të sundimit të ligjit dhe integrimin e pakicave. Barroso vlerësoi edhe progresin e bërë përsa i përket kritereve për liberalizimin e vizave duke thënë se BE është i vetëdijshëm që kjo është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi ndihmën e Komisionit Europian duke premtuar angazhim të vazhdueshëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara në kohë rekord.
Por nga ana tjetër Thaçi u shpreh se Kosova është e vonuar në proceset e integrimit në krahasim me vendet e tjera të rajonit. “Qytetarët e Kosovës janë të vetmit që në rajon që nuk mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së, këto janë më shumë pengesa teknike se sa politike”-u shpreh Thaçi. Kryeministri I Kosovës ndodhet në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd që vazhdon sot me takimin e pestë me homologun serb Ivica Daçiç.
Pas këtij takimi Thaci do të pritet edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.