SHBA– Një gazetë e shquar amerikane thotë se Shtëpia e Bardhë po harton një plan për imigracionin që do të lejojë imigrantët e paligjshëm të bëhen shtetas të përhershëm të ligjshëm brenda tetë vjetësh.
USA Today njoftoi dje se sipas propozimit, 11 milion imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë për një vizë të re që do të quhet Imigrant me Prespektivë të Ligjshme.
Nëse aprovohen, ata mund të aplikojnë për të njëjtin status ligjor të përkohshëm për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre që jetojnë jashtë vendit.
Gazeta thotë se sipas planit të hartuar nga Shtëpia e Bardhë, imigrantët e paligjshëm duhet të kalojnë një kontroll të së kaluarës së tyre, të paraqesin të dhëna biometrike dhe të paguajnë një shumë të ardhurash për t’u kualifikuar për vizën e re.
Nëse miratohen, ata do të lejohen të jetojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara për katër vjet, të punojnë dhe të mund të largohen nga vendi vetëm për periudha të shkurtra kohore. Pas katër vjetësh ata mund të aplikojnë për ta zgjatur vizën.
Emigrantët mund të aplikojnë për banim të përhershëm brenda tetë vjetësh në se kanë mësuar anglisht, historinë amerikane dhe kanë paguar taksat.