TBILISI, 17 shkurt 2013 – Rrumpallë dhe në vendlindjen e Stalinit. “Po përgatitet likuidimi fizik i Kryeministrit të Gjeorgjisë”, kjo është deklarata befasuese e ish-ministrit të Sigurimit të Shtetit të Gjeorgjisë në vitet1992 -1993, Irakli Batiashvili, në një intervistë me radion “Golos Rossii”.
Batiashvili njoftoi se kishte marrë një informacion, i cili sigurisht “do të duhet t’i nënshtrohet ende një verifikimi të vazhdueshëm dhe mjaft serioz”. Ndërkaq Batiashvili shpjegon se është i detyruar ta bëjë këtë njoftim publik “si shtetas gjeorgjian”.
Batiashvili, një nga liderët e Partisë Republikane të Gjeorgjisë dhe partisë opozitare “Përpara, Gjeorgji”, deklaron se “në një rreth shumë të ngushtë ish-zyrtarësh të afërt me Presidentin Mihail Sakashvili, të cilët kanë zënë pozicione kyçe në strukturat ushtarake të Gjeorgjisë, po zhvillohet diskutim mjaft aktiv për çështjen që ka të bëjë me likuidimin fizik të Kryeministrit aktual të Gjeorgjisë, Bixina Ivanishvili, madje, para zgjedhjeve presidenciale në Gjeorgji.
Politikani i opozitës Irakli Batiashvili shton se “meqë ra fjala, në dhjetë vitet e fundit ndodhën një seri të tërë sulmesh terroriste në Gjeorgji. Ka pasur dy akte shumë të rënda terroriste në Gjeorgji të drejtuara kundër ish-Presidentit gjeorgjian Eduard Shevardnaxe. Vrasja e ish-Presidentit të Gjeorgjisë Zviad Gamsahurdia. Vrasja e ish-Kryeministrit Zurab Zhvania. Lista e vrasjeve dhe orvatjeve për vrasje të përfaqësuesve të qeverisë dhe zyrtarëve të lartë gjeorgjianë nuk përfundon me këto Ajo është mjaft e gjatë. Dhe pikërisht ky fakt më jep arsye për të konfirmuar se informacioni që më ka rënë në dorë tani, duhet marrë shumë seriozisht”, theksoi ish-kryespiuni i Gjeorgjisë, Irakli Batiashvili.
Presidentin e goditën me vezë
Përfaqësuesit e disa organizatave gjeorgjiane, të cilat kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Mihail Sakashvili, u përpoqën t’i bllokojnë rrugën eskortës së Kryetarit të shtetit në fshatin Narazeni dhe e goditën makinën e tij me vezë më 14 shkurt 2013.
Rreth 20 protestues bllokuan hyrjen e ndërtesës së Pallatit të kulturës të fshatit, ku duhej të mbahej takimi i Sakashvilit me popullin. Në vend të kësaj, Presidenti u detyrua të shkonte si mysafir në një shtëpi private.
Në të njëjtën ditë, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të një shou televiziv gjeorgjian, kundërshtarët politikë nuk u përmbajtën dot dhe filluan të kacafyten me njëri-tjetrin.
Kreut të shtetit iu privua e drejta e fjalës
Parlamenti i Gjeorgjisë refuzoi të dëgjonte më 7 shkurt 2013 raportin vjetor të Presidentit Mihail Sakashvili, njoftoi gazetarët Kryetari i Parlamentit David Usupashvili. Sipas fjalëve të tij, ky vendim u diktua nga refuzimi i opozitës në parlament për të votuar amendamentet e Kushtetutës që kufizojnë kompetencat e Presidentit.
Siç u tha gazetarëve kreu i opozitës parlamentare, David Bakraxe, Saakashvili u përgatit të fliste në Parlament dhe të merrte pjesë në debate. “Nuk mbetet gjë tjetër përveç shprehjes së keqardhjes në lidhje me vendimin e shumicës parlamentare”, – përfundoi Bakraxe.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/