BRUKSEL- Të gjitha shtetet të cilat ''janë të përfshira në çështjen e mishit të kalit që është hedhur në treg nën logon e mishit të viçit duhet t'ja kalojnë të gjitha të dhënat e nevojshme Europolit për të zhvilluar analizat e duhura dhe kjo është shumë e rëndësishme'', deklaroi Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, në një komunikatë. 

Në deklaratën e komisioneres evropiane konfirmohet edhe ''fakti se çështja në fjalë duhet trajtuar dhe shqyrtuar në hollësi për t'u zbardhur plotësisht, por se kjo duhet të realizohet në nivel evropian''. 

''Europoli, përfaqësuesit e të cilit tashmë kanë zhvilluar një takim me ministrin britanik të Ambjentit, Owen Paterson, po heton në dy linja të ndryshme dhe është i gatshëm edhe për ndihmë të mëtejshme'', theksohej në deklaratën e Malmstrom.