SHBA, 14 shkurt 2013– Një aksident i shkaktuar prej shpejtësisë së madhe pasohet nga një krim. Një 31 vjeçar së bashku me dy djemtë ndodhej rreth 50 metra larg shtëpisë së tij, kur janë përplasur nga një automjet që lëvizte me shpejtësi të madhe.

Sipas The Huffington Post, David Barajas 31 vjeç dhe dy djemtë e tij David Jr. 12 vjeç dhe 11 vjeçari Caleb, janë aksidentuar nga një 20 vjeçar me emrin Jose Banda.

Por aksidenti tragjik që shkaktoi vdekjen e dy djemve të 31 vjeçarit nuk u mbyll me kaq. Pak minuta pas ngjarjes së rëndë Barajas ka shkuar në shtëpinë e tij, ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar 20 vjeçarin që i përplasi dy djemtë duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas policisë 20 vjeçari Banda ishte nën efektet e alkoolit dhe për këtë arsye po ngiste si i çmendur automjetin. Tani 31 vjeçari Barajas përveç dëshpërimit për vdekjen e dy djemve të tij i duhet të përballet me akuzën e vrasjes.