BE u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të kryejnë teste për produktet e mishit pas zbulimit të skandalit për praninë e mishit të kalit në atë që duhet të ishte mish viçi.
Të gjitha vendet anëtare duhet të kryejnë testin e ADN-së mbi mishin e proçesuar për të gjetur nëse përmban gjurmë mishit të kalit, duke filluar nga data 1 mars.
Lajmin e ka bërë të ditur komisioneri evropian i Shëndetësisë. Nga ana tjetër, edhe mishi i kalit duhet të testohet për të verifikuar nëse ka prani të substancave mjekësore veterinare.
Tonio Borg foli pas një takimi me ministrat e Britanisë, Francës dhe vendeve të tjera të prekura, në një takim të zhvilluar në Bruksel.
Zoti Borg tha se programi për teste të rregulta duhet të raportohet pas 30 ditësh, ndërkohë që testimet duhet të kryhen për tre muaj.
Miratimi i masave në fjalë erdhi pas zbulimit se mishi që shitej në 16 vende evropiane me etiketë si mish viçi përmbante në të vërtetë përbërës të mishit të kalit.
Skandali ka ngritur pikëpyetje për kompleksitetin e industrisë ushqimore në bllokun evropian me 27 vende anëtare.
Zinxhiri i furnizimit me mish çoi hetuesit tek disa tregtarë në Qipro dhe në Holandë dhe më pas në disa thertore në Rumani, vend që mohoi akuzat.