BRUKSEL- Një avion turistësh u rrëzua sot ndërkohë që po ngrihej në fluturim nga aeroporti i Charleroi, në Belgjikë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë shtetasve belgë.

Të pestë viktimat, të cilët i përkisnin të njëjtës familje, ishin dy të rritur dhe tre fëmijë. 

''Avioni, një lloj ''Cessna'', kishte një problem gjatë ngritjes në fluturim dhe u përpoq të ulej sërish, por u rrëzua në bordurën e pistës'', theksuan burime të policisë lokale. 

Shkaqet e aksidentit, të ndodhur rreth orës 09:00 GMT, mbeten ende të panjohura, sipas burimeve lokale. 

''Aeroporti Charleroi ka qëndruar i mbyllur që nga momenti i aksidentit deri rreth orës 13:00 GMT'', shtuan burime të policisë vendase. 

Disa fluturime janë zhvendosur drejt aeroporteve të tjera, kryesisht drejt atij në Liezh, rajon lindor në Belgjikë.