Mbrojtësi i talentuar shqiptar, Donart Lubishtani, ndonëse është vetëm 16 vjeç, ka bërë që në gjurmët e tij të vihen klubet e mëdha europiane. Lubishtani u largua në merkaton e verës nga të rinjtë e Malmos në Suedi, për të kaluar te Kievo në Itali, ku është aktivizuar me 17-vjeçarët.

Megjithatë, falë formës së mirë të treguar, mbrojtësi nga fillimi i sezonit stërvitet me ekipin e parë të Kievos, që militon në Serinë B dhe ka debutuar me ekipin e 19-vjeçarëve, si lojtari më i ri që luan për U-19 e Kievos.

Duke parë formën e shkëlqyer, 16-vjeçari shihet si një lojtar me të ardhme të madhe dhe për këtë arsye, në ndjekje të tij janë vënë skuadrat e mëdha europiane.

Sipas raportimeve të fundit, thuhet se Roma e ka ndjekur me vëmendjen futbollistin dhe po mendon ta transferojë në skuadër, ku sigurisht fillimisht do luajë me të rinjtë.

Interes për Lubishtanin ka shfaqur edhe Benfika, që gjithashtu e kërkon në skuadër. Lojtari është me origjinë nga Kosova, por hapat e para të karrierës i ka hedhur në Suedi.