40-vjeçari Edmond Koçi, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm në një atentat mafioz në lagjen nr.16, ishte arrestuar disa muaj më parë për armëmbajtje pa leje, por me kërkesë të prokurorisë, ai u lirua.
“Mond Çekiçi” më 24 shtator të vitit të kaluar u arrestua në flagrancë mbi një motor, për akuzën e mbajtjes pa leje të një pistolete, prodhim austriak të quajtur “Steyer” kalibër 9 mm.
Por pavarësisht kësaj, ai nuk bëri asnjë ditë paraburgim dhe u lirua me argumentimin se ishte i infektuar nga Covid. Vendimi u dha nga prokurorja Rabiana Halili, e cila dy ditë më pas dha dorëheqjen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Koçi u ekzekutua rreth orës 08:40 të mëngjesit pranë Drejtorisë Arsimore Durrës. Viktima udhëtonte me mjet me shofer dhe një automjet tjetër i ka prerë rrugën.
Mësohet se nga mjeti ka dalë shoferi i viktimës për të pyetur se çfarë kishte, ndërkohë që një nga personat ne mjetin tjetër ka qëlluar për vdekje Edmondin me bresheri plumbash.
Fill pas kësaj, autorët janë larguar me një mjet tip “Benz” me targa të vjedhura në Tirane, i cili është braktisur dhe djegur nga autoret në Katund Sukth, Durrës.





