Një tërmet me magnitudë 8 ballë është regjistruar pranë brigjeve të ishujve Salomon, në Oqeanin Paqësor. 

Tërmeti i fuqishëm ka shkaktuar një cunam deri në 1 metër lartësi pranë brigjeve të ishujve. Raportohet se shumë banesa janë përmbytur. Brigjet e ishujve janë pak të banuar. Deri tani nuk ka njoftim për persona të lënduar. 

Qendra e Paralajmërimit të cunamit në Paqësor deklaroi se cunami mund të jetë kërcënues për brigjet më të largëta. 

Paralajmërim për cunami është lëshuar edhe në ishujt Fixhi, Vanuatu, Nauru, New Guinea, Kiribati dhe Kaledonia e Re. 

Në fillim u njoftua se cunami do të arrinte të godiste edhe brigjet e Australisë, të Zelandës së Re dhe Indonezisë, por më pas autoritetet australiane deklaruan se këto zona nuk janë të kërcënuara nga cunami. 

Tërmeti i parë i fuqishëm u shoqërua nga shumë lëkundje të tjera, deri në 6.6 ballë. Ishujt Salomon janë pjesë e ‘Unazës së Zjarrtë të Paqësorit’, zona me aktivitetin sizmik më të lartë në të gjithë rruzullin tokësor. 

Ishujt Salomun janë goditur edhe në vitin 2007 nga një tërmet 8.1 ballë, i cili gjeneroi cunam duke shkaktuar 52 të vdekur.