BERLIN– Një shtetas gjerman dhe një austriak, që u ishin bashkuar operacioneve të rrjetit al-Kaida në Afganistan, sot janë dënuar me burg për terrorizëm nga një gjykatë në Berlin.
Prokurorët thanë se islamiku gjerman kishte shkaktuar alarm kryesor terrorist në vitin 2009, kur ishte paraqitur me maskë në një video në Internet dhe ishte kërcënuar me sulme, transmeton REL.
Duke e përfunduar procesin e gjatë një vit, në të cilin dy të akuzuarit kishin refuzuar të dëshmojnë, gjykata i dënoi ata për anëtarësim në organizatën e jashtme terroriste.
Shtetasi gjerman, 27 vjeçar, është dënuar me nëntë vite burg, ndërsa austriaku 23 vjeçar, është dënuar me gjashtë vjet e nëntë muaj. Në raportin e agjencisë DPA nuk janë dhënë emrat e të dënuarve.
Gjykata ka gjetur se të dy ata kishin pasur trajnime në kampet e al-Kaidës në Afganistan dhe Pakistan.
Mbetet e paqartë se a kanë marrë pjesë ata në sulmet kundër forcave të NATO-s në Afganistan, siç është sugjeruar nga prokurorët.
Shtetasi gjerman ishte arrestuar në mars të vitit 2011 në Vjenë të Austrisë, dhe pastaj i ishte dorëzuar Gjermanisë. Austriaku ishte arrestuar dy muaj më vonë.