TIRANE- Nuk kanë dalë për xhiro nga blloku, por për të inspektuar punimet që pritet ta kthejnë rrugën “Brigada e Tetë” në njësinë bashkiake numër pesë me parametra bashkëkohorë.
“Rruga shkon në 8 metra gjerësi dhe për profilin që ka merr një pamje të nivelit bashkëkohor, pra me 6 metra gjerësi, trotuare 2 metra. Rruga do të ketë një ndriçim të plotë, i cili i ka munguar kësaj rruge dhe njëkohësisht do të mbillen edhe rreth 100 e ca fidanë të rinj. Në këtë mënyrë rruga do të marrë një pamje normale, ashtu siç i takon një qyteti dhe specifikisht kësaj zone të njohur si ish-Blloku. Pas punëve të rëndësishme në akset e mëdha, në vazhdën e këtij përmirësimi ecin në përgjithësi të gjithë rrugët e Tiranës në këto lloj aksesh, duke u bërë kësisoj jetike për qytetarët e kryeqytetit” – u shpreh z. Vasili.
Brenda gjashtë muajsh kjo rrugë një ndër më të frekuentuarat në Tiranë do të ketë asfalte, ndriçim dhe gjelbërim. Bashkia e Tiranës për këto do të investojë rreth 30 milionë lekë.
“Kjo ndërhyrje do të sjellë njëkohësisht jo vetëm lehtësimin e qarkullimit por do të bëjë edhe më të bukur jetën në këtë pjesë të qytetit, e cila tërheq vëmendjen e madhe të qytetarëve, qoftë në ditët e zakonshme, në fundjavë por edhe përgjatë momenteve të tjera”- deklaroi Vasili.
Njëkohësisht punimet pritet të shndërrojnë edhe rrugët paralele me ”Brigadën Tetë” në mënyrë që brenda gjashtë muajve kjo pjesë e kryeqytetit të jetë tërësisht e sistemuar.





