DURRES – Të afërmit e Altin Tepshit, 39-vjeçarit që akuzohet se ka tentuar t’i presë qafën gruas së tij në vendin e saj të punës, janë vënë në kërkim së bashku me policinë për gjetjen e tij. Ata i tremben ndonjë vendimi ekstrem që mund të marrë në kushte të tilla 39-vjeçari, ndaj po e kërkojnë kudo.

Pas ngjarjes, ai u ka telefonuar për t’u thënë se do të vetëvritej, çka ka shtuar ankthin te familjarët, pasi dhe telefoni i tij rezulton i fikur. Asnjë prej tyre nuk e pranon akuzën e ngritur ndaj tij se donte të vriste të shoqen, Anila Domi, mjeke në poliklinikën e Durrësit. Madje, ata shkojnë më tej duke theksuar se fajtorja kryesore që ka rënduar akoma edhe më tepër gjendjen mendore të Altin Tepshit është pikërisht bashkëshortja, me veprimet e saj të pahijshme dhe mashtrimet ndaj tij.

Ndërsa policia nga ana e saj deklaroi se po punohet intensivisht në drejtim të zbulimit të vendndodhjes së 39-vjeçarit. Altin Tepshi, i cili akuzohet se paraditen e ditës së martë ka shkuar në ambientet e Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor, vend në të cilin punonte bashkëshortja e tij Anila Domi dhe pas një konflikti që u ndez mes tyre, i ka vënë thikën në fyt 32-vjeçares.