BERAT– Një banesë u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Beratit, shkak për të cilën është bërë harresa e një paisje për ngrohje, ndërkohë që është djegur rëndë kryefamilarja e saj. 45 vjeçarja Teuta Elezi, u dogj rëndë sot, ndërkohë që dyshohet se fillimisht ajo është asfiksuar si pasojë e një zjarri që përfshiu dhomën e saj të gjumit.
Banesa e familjes Elezi ku jetonte e vetme 45 vjeçarja është parë nga komshinjtë të përfshihet nga flakët, ndërkohë që menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e zjarrfikëses dhe shpëtimit. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë që jo vetëm të shpëtohet në kohë 45 vjeçarja, por dhe të eleminohet në kohë përhapja e zjarrit në apartamentet e tjera të këtij pallati të vjetër.
Gruaja është gjetur e djegur, ndërsa ndodhej në shtratin e saj dhe menjëherë u dërgua për ndihmë mjeksore në spitalin e qytetit, ku ndodhet në terapi intensive. Drejt banesës së familjes Elezi, mbërritën më pas ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet në lidhje me këtë rast. Nga hetimet e para mësohet se shkak është bërë lënia ndezur e një paisje për ngrohje me rezistencë, me të cilën gruaja ka qënë duke u ngrohur.





