Për babanë e 22-vjeçarit që mbeti i vrarë nga goditjet me thika për një gërvishtje makine, është e pafalshme ajo që i ndodhi të birit. Ai nuk i njeh autorët dhe nuk e di të vërtetën e asaj që ka ndodhur, por kërkon që të vendoset drejtësi dhe ata që i vranë djalin të marrin dënimin që meritojnë.
Ismail Lilaj, babai i Erion Lilajt, i cili u plagos rëndë dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin Ushtarak, e ka peng që nuk arriti dot të fliste për herë të fundit me të birin, për aq kohë sa ai ishte ende gjallë në spital. Babai i 22-vjeçarit tregon se djalin ia vranë në derë të shtëpisë, dhe kjo është shumë e rëndë për të dhe familjen.
“Ishte e pamundur që të flisja me të. Ai ka qenë shumë rëndë. Nuk arriti të më thoshte asnjë fjalë të fundit. Vetëm e kam puthur djalin dhe kam qëndruar aty duke pritur në spital. Mjekët nuk më dhanë asnjë shpresë, më thanë që ishte shumë rëndë”, u shpreh dje Ismail Lilaj.
Policia ka arrestuar dy prej autorëve, babë e bir, dhe ka shpallur në kërkim një person të tretë, që është i afërm i tyre. Edhe babai i Erion Lilajt tregoi dje se gjithçka ka ndodhur për gërvishtjen e makinës së të birit. Por askush nuk e mendonte se ai debat do të përfundonte në këtë mënyrë. “Djali kishte bërë llafe me ta kur i gërvishtën makinën, pak debat, por jo aq sa për të ma vrarë djalin”, shprehet babai i 22-vjeçarit. Duke na treguar makinën, një makinë e vogël tip “Fiat Punto”, që ndodhej e parkuar në oborrin e shtëpisë në rrugën “Siri Kodra”, Ismail Lilaj thotë se gjithçka ndodhi për atë makinë.
“Sa e kishte blerë makinën, këtë makinën këtu, dhe ia gërvishti njëri nga ata, më duket se babai i autorëve, që është arrestuar. Djali ka zbritur nga makina dhe ka debatuar. I kishin dëmtuar prapakolpin dhe derën anësore të pasagjerit. Erioni u ka thënë që duhet të ma paguani dëmin që më bëtë sepse sa e kam blerë”. Ky ka qenë debati që viktima ka pasur me autorët pak para se ta qëllonin me thika pas shpine. Ndërsa Ismail Lilaj ka edhe një apel për policinë dhe për drejtësinë shqiptare. U kërkon që autorët të vihen të gjithë para përgjegjësisë dhe të vendoset drejtësi. Edhe pse sipas tij duhet që dikush të bëhet shembull, që të mësojnë të tjerët. Vetëm atëherë, sipas tij, nuk do të ndodhin ngjarje të tilla, pasi njerëzit do të kenë frikë që të vrasin.
“Unë kërkoj nga policia që t’i kapë të gjithë autorët. Sepse, me sa di unë, një tjetër nuk është kapur akoma. Kërkoj të vendoset drejtësi. Sado që të dënohen autorët, mua djalin prapë nuk ma kthen njeri. Të të vrasin djalin përpara derës së shtëpisë është vërtet bombë. Jemi shumë të tronditur. Mirë që rrimë në këmbë”, apeloi dje babai i 22- vjeçarit Erion Lilaj.





