Nga e premtja e 10 korrikut, në portin e Durrësit rikthehen lundrimet e dyfishta të trageteve të linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas.
Nisja e lundrimeve të dyfishta brenda ditës bëhet për të përballuar fluksin e hyrje – daljeve të pasagjerëve dhe mjeteve në këtë pikë kufitare.
Përgjatë korrikut dhe muajit gusht pritet rikthimi në atdhe i emigrantëve nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kthehen pranë vendlindjeve për të kaluar pushimet verore.
Ndërkohë, në linjën Durrës – Ankona dhe anasjeltas, që nga data 1 korrik kanë nisur lundrimet e përditshme që lidhin dy vendet fqinje.
Përgjatë këtyre ditëve të para të korrikut fluksi i përditshëm i pasagjerëve dhe mjeteve që hyjnë dhe dalin nga porti i Durrësit ka qenë rreth 1500 udhëtarë dhe 500 mjete, ndërkohë që në fundjavë kjo shifër pritet të dyfishohet në shifrat mbi 3000 udhëtarë e rreth 1500 mjete, siç pohohet nga kapiteni i portit Tauland Allka.
Në prononcimin e tij për “DurrësLajm”, Allka thotë se kompanitë lundruese, që menaxhojnë tragetet, kanë futur në linja mjete lundruese me kapacitet më të madh për të përballuar fluksin, ndërkohë që autoritetet portuale si Policia Kufitare, Kapiteneria, Dogana etj kanë marrë të gjithë masat për shtimin e sporteleve dhe personelit për të përpunuar në kohë rekord fluksin në rritje të udhëtarëve.
“Policia Kufitare do të funksionojë me 24 sportele, po ashtu edhe Dogana e Kapiteneria do të operojnë me personel të shtuar, në mënyrë që e gjithë procedura e përpunimit të përfundojë sa më shpejt në ambientet portuale”,– thotë Allka.
Nga java tjetër, lundrimet e dyfishta do të nisin nga dita e mërkurë.
Nga parashikimet e deritanishme, numri i udhëtarëve dhe mjeteve që do të përdorin portin e Durrësit si pikë hyrëse apo dalëse nga Shqipëria pritet të rritet me 5 – 10%, krahasuar me një vit më parë.
M.B.





