TIRANE – Një 22-vjeçar ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak pasi nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra nga sulmi me thikë një ditë më parë. Erjon Lilaj, mbeti i plagosur dje në rrugën "Siri Kodra" nga dy persona pas një sherri për motive të dobëta.
Si autor të dyshuar janë arrestuar Sherif Lata 52 vjeç, dhe Besard Lata 27 vjeç ndërsa në kërkim është Sebastjan Latën 23 vjeç. Policia e Tiranës ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen.
22-vjeçari nga Burreli ishte thirrur nga dy persona për t’u sqaruar për një zënkë të mëparshme dhe aty e kanë qëlluar me thikë duke e lënë të plagosur rëndë. Nga dëshmitarë të ngjarjes bëhet e ditur se zënka mund të ketë pasur shkak një gërvishtje makine.
“Ma vranë para shtëpisë”
Për babanë e Erjonit, vrasja është tepër e rëndë, aq më tepër kur krimi ndodhi përpara derës së shtëpisë së tij. “Të të vrasin djalin përpara derës së shtëpisë është vërtetë bombë. Jemi shumë të tronditur. Mirë që rrimë në këmbë. Është një ngjarje tepër e rëndë, ishte 22 vjeç. Nuk mund ta harrojmë”, thotë Ismail Lilaj, babai i 22-vjeçarit në një intervistë për “A1 Raport”.





