DURRES – Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë krijuar mjaft vështirësi në lëvizje në akset rrugore të qarkut të Durrësit, ndërkohë që dhjetëra shtëpi në Shijak dhe Xhafzotaj ndodhen nën pushtetin e ujit. Ndërkohë mijëra nxënës kanë mbetur pa mësim pasi tre shkolla, 2 të mesme dhe një 9 vjeçare kanë qenë të përmbytura nga uji. Situata më e rëndë është regjistruar sot në Shijak, ku si pasojë e reshjeve lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 20 shtëpi. Por situata pritet të përkeqësohet edhe më, pasi kryetari i njësisë së pushtetit vendor, Indrit Buka, ka bërë të ditur se rrjedha e lumit rrezikon 120 shtëpi, të ngritura kryesisht përgjatë rrjedhës së Erzenit.
Banorët e përmbytur kanë mbetur në qiell të hapur dhe sipas drejtuesve të pushtetit vendor janë strehuar përkohësisht në ambientet e bashkisë së Shijakut. Shtëpitë në fjalë përmbyten për herë të dytë në harkun kohor të dy muajve, e për këtë arsye ata kanë qenë mjaft të irrituar duke kërkuar nga pusheti vendor gjetjen e një zgjidhjeje, pasi sa herë ka reshje shtëpitë e tyre përmbyten dhe janë kthyer në të pabanueshme, pasi niveli i ujit brenda tyre arrin deri në 1m.
Në shenjë proteste ndaj reagimit të munguar të pushetetit vendor ata kanë bllokuar kalimin në urë, duke penguar kalimin e automjeteve në të dy anët e saj. Për të zhbllokuar lëvizjen në aksin Shijak-Durrës ka qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë e cila ka qetësuar situatën.
Ndërkohë e vështirë ka qenë situata edhe në komunën Xhafzotaj, ku sërish disa banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut. Kujtojmë se dy muaj më parë në këtë komunë u shembën tre banesa për shkak të rrëshqitjes së tokës si pasojë e reshjeve.
Edhe zona turistike e plazhit është zgjuar sot nën pushtetin e ujit. Dhjetëra familje dhe biznese kanë mbetur të izoluara, pasi niveli i ujit në rrugë ka qenë disa cm, gjë që e bënte të pamundur lëvizjen normale të këmbësorëve dhe automjeteve.
Shkak për përmbytjet në këtë zonë është bllokimi i kolektorëve duke shkaktuar përmbytje të banesave dhe bizneseve në zonë. Banorët e kësaj zone kanë zhvilluar sot një protestë, ku kanë denoncuar mos reagimin e institucioneve dhe përsëritjen e të tilla situatave sa herë ka reshje.
Prefektura e Durresit ka bërë të ditur se situata konsiderohet problematike, pasi nuk funksionojnë kanalet kulluese.
Mjaft e rëndë ka qenë situata edhe në rrethrrotullimin e lagjes nr.14 në Shkozet, ku janë regjistruar rradhë të gjata automjetesh dhe vështirësi në lëvizje. Dhjetëra e dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara në këtë rrethrrotullim problematik, i cili siguron lidhjen e jugut të vendit me Tiranën.
Po ndërsa kalimtarët dhe automjetet kanë hasur vështirësi në lëvizje, mijëra nxënës e kanë pasur të pamundur të zhvillojnë sot mësim. Oborret e shkollave “Olsi Lasko” dhe “Hasan Koçi” në Shkozet dhe “Jan Kukuzeli” në Durrës kanë qenë të mbuluara nga uji. Madje edhe me largimin e ujit, zhvillimi normal i procesit mësimor në ditët e ardhshme bëhet i vështirë për shkak të lagështirës së kateve të para të këtyre godinave. Për këtë problem reagoi sot edhe deputeti i qarkut të Durrësit, Igli Cara, i cili fajësoi bashkinë si përgjegjëse për situatën e krijuar. Sipas tij mungesa e investimeve ka bërë që situata në këto shkolla të përkeqësohet nga viti në vit.





