DURRES – Në kuadër të masave për të parandaluar prodhimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike, policia e Durrësit ka konkretizuar me sukses dy aksione për ndalimin e shtetasve që merren me këtë veprimtari kriminale.
Burime të policisë së Durrësit konfirmojnë se kanë mundur të arrestojnë në flagrancë tre shtetas mbi të cilët rëndon akuza “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative policia ushtroi kontroll në banesën e shtetasit Miri (Idlir) Myftari, 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit efektivët e rendit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 0.35 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë, e bërë gati për shitje në porcione të ndara.
Me po të njëjtën akuzë policia ka vënë në pranga edhe dy shtetas të tjerë babë e bir, Flamur dhe Orgis Shahini, 52 dhe 24 vjeç banues në fshatin Katund Sukth Shijak. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve policia gjeti dhe sekuestroi 4.6 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, e vendosur në 3 qese plastmasi.
Mbi dy shtetasit në fjalë do të rëndojë edhe akuza e armëmbajtjes pa lejë pasi shtetasit Flamur Shahini iu gjet në trup një pistoletë, ndërkohë që në shtëpi mbante të fshehur edhe nje arme gjahu e llojit çifte dhe 98 cope fishekë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu kaluan për ndjekje penale Prokurorisë së rrethit Durrës.





