TIRANE – Presidenti i Republikës, njëherësh kreu i KLD-së, Bujar Nishani dënoi sulmin ndaj gjyqtares së Gjykatës së Vlorës, Mirela Mishgjoni. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Nishani theksoi se askush nuk mund të cenojë dinjitetin dhe jetën e gjyqtarit. 

“Sulmi ndaj gjyqtares është i papranueshëm dhe kriminal. I uroj shërim të shpejtë gjyqtares Mirela Mishgjoni.”- deklaroi Presidenti. 

Pak ditë më parë gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Mirela Mishgjoni u sulmua nga një person i panjohur, i cili i hodhi acid në pjesën e fytyrës dhe të kraharorit. 

Sulmi ndaj Mishgjonit alarmoi policinë e Vlorës, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, rezulton se gjyqtarja u sulmua në pritë për shkak të detyrës që bën. Më shumë se 20 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia në lidhje me ngjarjen. 

Pas përmirësimit nga ana shëndetësore, gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka dhënë deponimet e para për policinë. Ajo ka pohuar se nuk e ka njohur personin që e dogji me acid. “Nuk e njoh personin që më hodhi acid, ndonëse ishte i pamaskuar. Por nëse mund të përballem me të, do ta njoh”, -është shprehur 40-vjeçarja. Vetë gjyqtarja ka deklaruar se personalisht nuk kishte konflikte me asnjë person.