DURRES – Pesë mjeke të Drejtorisë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor, kolege të 31-vjeçares Anila Domi, kanë qënë dëshmitare të skenës horror ku bashkëshorti i saj 38-vjeçar, tentoi t’i priste kokën. Pasi e ka rrahur brutalisht nëpër korridoret e katit të dytë të godinës dhe i ka prerë flokët, Altin Tepshi ka tentuar t’i presë qafën me bisturi bashkëshortes së tij, por vetëm ndërhyrja e njërës prej kolegeve e ka shpëtuar 31-vjeçaren. Ndërsa rrëfejnë momentet e tmerrit, koleget shprehen se “e kanë ende në sy trupin e Anilës, të mbuluar nga gjaku, flokët e prera në pllakat e korridorit dhe brutalitetin e bashkëshortit të saj”.
Koleget tregojnë se fillimisht Altini e thirri tek dera se kishte diçka për të sqaruar dhe më pas në krye të shkallëve e kishte rrahur brutalisht, ndërsa ajo nxirrte vetëm pak zë të hollë, si një e qarë fëmije në ngashërim. Kur ai i kishte prerë flokët e saj kaçurrela të zeza, ajo kishte bërtitur fort, por ai i kishte vënë bisturinë në grykë. “Ajo e djeshmja ishte e tmerrshme. Ai ia kishte vënë thikën në grykë për ta therur, ndërsa ajo nxirrte zë si një fëmijë. Vetëm kur ai po i priste qafën, ulëriti aq fort sa u dëgjua në të gjithë godinën. Policia duhet ta arrestojë e të përballet me drejtësinë”, shprehen 5 koleget e zyrës. Vetëm ndërhyrja e Mozës, koleges së saj mjeke, e cila kishte dalë pas shpinës së bashkëshortit dhe e kishte shtyrë me sa forcë që kishte poshtë shkallëve, ka shmangur tragjedinë e rëndë.
Duke u ndalur tek martesa e çiftit, Moza tregon se menjëherë pas dasmës, Anila ishte shkëputur nga shoqëria dhe madje Altini nuk e linte të mbante as celular. “Ishte xheloz dhe kjo ishte shumë e rëndë. Në punë erdhi para një jave. Na tha që edhe adresën në ‘Facebook’ ia menaxhonte i shoqi. Gjatë kohës që ishte me leje lindjeje, kishim mundur të flisnim shumë pak herë me të. Vetëm kur ishte me motrën dhe nënën e saj”, tregon Moza. Ndërkaq, policia e Durrësit është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes, 38-vjeçarit Altin Tepshi. Pas mjekimit në spital, nga ku doli me tri të qepura në grykë, në krahun e majtë, pranë arteries kryesore të gjakut, 31-vjeçarja Anila Domi ka shkuar në banesën e prindërve të saj. Nëna e saj Shazie Domi, ndërsa kujdeset për djalin e Anilës, 9 muajsh, tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se, konflikti mes çiftit ka si shkak xhelozinë e pakontrollueshme të Altinit.
Zonja Shazie, ç’mund të na thoni për konfliktin midis vajzës suaj dhe dhëndrit?
Vajza nuk e ka bërë akoma vitin që është martuar. Gjatë kohës që ishte shtatzënë bashkëshorti kishte shfaqur shenja xhelozie, por nuk kishte përdorur dhunë ndaj saj. Prej një jave i shkonte tek vendi i punës, duke i thënë të mos punonte më. Por vajza është mjeke dhe në punë do shkonte.
Ky ishte shkaku i sherrit të tyre?
Duke parë që ai nuk e lejonte të shkonte më në punë, Anila i ka kërkuar divorcin para disa ditësh dhe erdhi të jetonte në shtëpi me ne prindërit së bashku me djalin. Ai u bë shumë xheloz. Nuk e duronte dot këtë, i tha që djalin ta mbante e ta rriste vetë e të mos shkonte më fare në punë. Por unë si nënë ia mora përsipër t’ia mbaj djalin për të mos e çuar në çerdhe se është i vogël.
Po dje çfarë ndodhi, çfarë ju ka thënë vajza?
Ai dje kishte vajtur e kishte rrahur fillimisht, i kishte prerë flokët në korridorin e punës së saj. Më pas një bisturi të mprehtë nga ato të doktorëve që ishte me hark, ia kishte vënë në grykë. E kishte prerë, por mjekët na thanë që ishte fat se mund t’i kishte marrë jetën po të mos ishte ndaluar në kohë.
Çfarë kërkoni ju si prindër?
Ne duam që ai të rrijë sa më larg familjes tonë, sa më larg vajzës, që desh i mori jetën. Duam që policia ta kapë, sepse kemi frikë, mos na vjen në shtëpi, e na vret të gjithëve.





