GREQI – I arratisur rreth 3 muaj më parë të vitit që lamë pas nga burgu i Korfuzit, një trafikant shqiptar i narkotikëve ka inskenuar një “film aksion” në kufirin me shtetin helen.
Autoritetet greke të policisë bëjnë me dije se 37-vjeçari së bashku me dy shtetas të tjerë shqiptarë, përkatësisht 21 dhe 34 vjeç kanë grabitur një makinë në kufirin shqiptaro-grek dhe janë munduar të largohen.
Gjatë kalimit në Janinë ata janë pikasur nga policia, e cila i ka sinjalizuar të ndalojnë, fakt ky që është refuzuar prej tyre, duke përplasur disa automjete.
Gjatë ndjekjes 3 shqiptarët hodhën nga automjeti një pistoletë me 8 fishekë, ndërsa për dy shtetasit 34 dhe 21-vjeç është ndërprerë në mes aventura pasi në Janinë kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa 37-vjecari, drejtues i mjetit është larguar në drejtim të paditur.
Ky i fundit, siç bën me dije policia greke, ishte arratisur nga burgu i Korfuzit në tetor 2012, pasi ishte dënuar nga një gjykatë e Greqisë me rreth 18 vjet burg për trafik dorge.





