TIRANE – Kryeministri Sali Berisha priti në takim Haxhi Selim Muçën, kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, me të cilin foli mbi avancimin e procedurave për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, si dhe për problemet që dalin për realizimin e saj. 

Kryeministri shprehu kënaqësinë që ka filluar puna e projektimit të kësaj xhamie, që do të ngrihet në vendin tradicional dhe historik të Namazgjasë. 

“Ajo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare. Duhet të kujtoj me këtë rast se hapja e xhamisë së Ethem Beut në Tiranë për shërbimet fetare ka qenë një nga veprimet e para të Partisë Demokratike,” – u shpreh Kryeministri. 

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Haxhi Selim Muça se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të japë të gjithë mbështetjen që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars.