DURRES – Katër persona kanë mbetur të plagosur rëndë, dy prej tyre efektivë të policisë së komisariatit të Kavajës, gjatë një konflikti që patën me punonjësit e e një diskoteke në Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se të dëmtuar kanë mbetur shtetasit: Ahmet Batusha, 26 vjeç dhe Ismail Beu, 25 vjeç, efektivë të Policisë në Komisariatin e Kavajës, si dhe dy të afërmit e tyre H.B., 30 vjeç dhe E.K., 26 vjeç; që të katër banorë të qytetit të Kavajës.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera lidhur me këtë ngjarje rezultoi se personat e dëmtuar fillimisht kanë qenë në Tiranë, ku kanë konsumuar pije alkoolike; me pas janë kthyer në Durrës dhe kanë shkuar në disko “Kolombo”, ku kanë qëndruar rreth një orë. Gjatë largimit nga lokali, këta shtetas dyshohet se kanë thyer një shishe birre, veprim pas të cilit kanë reaguar punonjësit e personelit të diskos të cilët kanë tentuar t’i nxjerrin jashtë”,- thuhet në komunikatën e policisë.
Ky veprim ka ngjallur reagimin e katër kavajasve dhe për pasojë palët janë konfliktuar e goditur me njëri-tjetrin me mjete të forta. Në njoftimin e saj zyrtar policia e Durrësit bën të ditur se “si pasojë e goditjeve të marra shtetasi I.B. ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak Tiranë; shtetasi A.B., në Reanimacionin e Spitalit Rajonal Durrës, shtetasit E.K. dhe A.T. me dëmtime të lehta”. Ndërkaq janë arrestuar punonjësit e diskotekës, të cilët akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”. Në prangat e policisë kanë rënë: Aldo Tuda, 21 vjeç, banakier në disko “Kolombo”, Bahri Cullhaj, 54 vjeç, roje sigurie në diskon e mësipërme, si dhe Ervin Gjuzi, 24 vjeç, punonjës. Të tre me banim në qytetin e Durrësit.





