VLORE– Policia e Vlorës ka marrë në pyetje gjyqtaren e Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni, për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, kur ajo u sulmua me acid në fytyrë dhe kraharor nga një person ende i paidentifikuar.
Siç raporton agjensia Noa.al, gjyqtarja mësohet të ketë thënë: “Sa po dilja nga shtëpia për të shkuar në punë. Hapa derën dhe pashë një person, i cili më kishte zënë pritë. Ai nuk më tha asgjë, por hodhi menjëherë acid mbi mua. Nuk po e kuptoja çfarë po ndodhte. E pashë që ishte një djalë i ri i veshur me të zeza. Një person që ndodhej disa metra larg më erdhi në ndihmë për të më transportuar në spital”.
Gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka deklaruar se nuk ka konflikte personale me asnjë person, gjë që i ka shtyrë hetuesit të mendojnë se ngjarja ka lidhje me profesionin e saj.
Edhe tetorin e vitit të kaluar gjyqtarja në fjalë u përfshi në një tjetër incident. Artur Malaj, Mirela Mishgjoni dhe Albert Spiro, të tre gjyqtarë të gjykatës së Faktit Vlorë, u kërcënuan haptazi në sallën e gjyqit ndërsa jepnin vendimin për të pandehurin Klevis Gjahtari, i njohur nga strukturat e rendit si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.





