BRUKSEL– Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Philip Reeker ka deklaruar nga Brukseli domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në vendin tonë, si një dëshmi jo vetëm ndaj faktorit ndërkombëtar, por edhe qytetarëve të saj.
“Shqipëria ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje demokratike dhe të lira”,- ka thënë ai. Sipas Reeker, SHBA-të janë të shqetësuara për retorikën nacionaliste që dëgjohet nga politikanët në Shqipëri.
“Kjo retorikë devijon fokusin nga çështjet e rëndësishme dhe nuk do të ndihmojë as në zhvillimin e ekonomisë, e as në zgjidhjet e problemeve siç janë papunësia, dhe problemet tjera”,- ka thene ai.
Ai gjithashtu ka thënë se për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të vazhdojë politikën e zgjerimit në BE, dhe të ketë të hapur edhe perspektivën për vendet e rajonit të Ballkanit.





