TIRANE – Pas sulmit me acid që iu bë sot në Vlorë, gjyqtares Mirela Mishgjoni ka reaguar edhe trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila e ka dënuar sulmin në fjalë dhe e ka cilësuar një atentat që i bëhet pushtetit gjyqësor.

“Pas këtij akti të rëndë dhune, të përsëritur tashmë ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit, Gjykata e Lartë deklaron se sulmi ndaj gjyqtares Mishgjoni, përbën një atentat të rëndë kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të tij. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare e cila është e interesuar mbi të gjitha për të drejtën dhe sigurinë e jetës së çdo individi dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim. 

Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Lartë kërkon për të disatën herë zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të gjyqtarëve. “Cënimi i jetës së një gjyqtari përbën kërcënim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë”, theksohet në deklaratë.