TIRANE – Komisioni Europian dhe Ministria e Integrimit kanw zhvilluar sot një seminar për lirinë e medias dhe lirinë e fjalës në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë fjalës së saj tha se media në vend s’është e lirë, sepse gazetarët komandohen nga drejtuesit e kompanive mediatike dhe jo nga profesionalizmi.
“Gazetarët përballen me sfida që ndikojnë drejtpërsëdrejti me lirinë e tyre. Mediat përballen me sfida për të transmetuar një lajm të vërtetë. Sot diskutimet për lirinë e medias në Shqipëri s`mund të shihen vetëm te lidhjet qeveri-media. Është një vijë e hollë e cila ndan qëndrimet profesionale. Pra lirinë e brendshme nuk e vendos qeveria, por drejtuesit e mediave. Pushteti i medias duhet të forcohet në lirinë brenda tij”,- tha Bregu.
Ministrja Bregu gjithashtu ka deklaruar se mazhoranca aktuale ka bërë gjithçka që media të jetë e lirë dhe e pavarur ndërsa ka shtuar se gazetarët nuk penalizohen më për gjërat që shkruajnë.
“Që nga viti 2005 nuk ka asnjë procedim ndaj gazetarëve. Janë bërë ndryshime në kodin penal për shpifjen. Të tilla vendime e inkurajojnë lirinë e medias”,- shtoi Bregu.
Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, theksoi se liria e medias dhe fjala e lirë është jetike për integrimin e vendit.
“Liria e medias dhe ajo e fjalës janë të rëndësishme për demokratizimin e Shqipërisë. Duhet angazhimi i të gjitha palëve për lirinë e medias”,- tha ai.





