NEW YORK – Shqipëria mbetet mes 58 vendeve pjesërisht të lira, çka do të thotë se ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe civile. Ky është pozicionimi që Freedom House, organizata me qendër në Nju Jork i bën Shqipërisë për vitin 2012 në raportin “2012 Freedom in the World”.
Vlerësimi i lirisë në botë bëhet në bazë të drejtave politike e të drejtave civile. Vlerësimi nga 1- 2.5, është për vendet që janë të lira, vlerësimi 3.0- 5.5 është për vende që janë pjesërisht të lira dhe nga 5.5- 7.0 është për vende pa liri.
Në krahasim me një vit më parë mund të thuhet se Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Shqipëria është vlerësuar me notën 3, vlerësim që e përfshin në vendet me liri të pjesshme.
Ndërkohë që një vit më parë ishte vlerësuar me notën 3.5. Për 2012, Liria Politike dhe të Drejtat Civile janë vlerësuar me 3 pikë, ashtu si një vit më parë. Edhe Kosova është renditur në mesin e vendeve pjesërisht të lira.
Në rajon, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën janë dhe Bosnja dhe Maqedonia, ndërsa shtete të lira janë konsideruar Serbia, Kroacia e Mali i Zi.
Shtet i lirë, sipas Freedom House, është ai ku ka konkurrencë të hapur politike, një klimë të respektimit të lirive civile, jetë të pavarur civile dhe media të pavarura.





