TIRANE – Shteti do ta mbrojë tim bir. Shteti nuk vret njeri. Besoj se do bëjë drejtësi. Ne s’i kemi borxh askujt, na kanë të tjerët neve, që na vranë fëmijën e qëlluan mbi gratë”. Isuf Llani, babai i Jetmir Llanit, është krejt i qetë dhe shprehet se nuk ka frikë nga askush dhe asgjë, edhe pse në familjen Shkreta numri i të vrarëve ka shkuar në dy dhe për ekzekutimet e rënda akuzohet i biri, Jetmiri, që ditën e djeshme u ekstradua nga Roma drejt Shqipërisë. “Ne lëvizim lirisht, nuk kemi frikë. As për jetën e Jetmirit nuk kam frikë, se shteti do ta ruajë. Unë nuk jam për hakmarrje, dua që shteti të veprojë, të vërë drejtësi”, – thotë plaku i Llanajve për “GSH”, pak orë pasi i biri me pranga në duar zbriti në aeroportin e Rinasit, duke u izoluar në paraburgimin 302 në Tiranë.
Z.Llani, djali juaj Jetmiri u ekstradua sot (dje) nga Italia. Keni frikë për ndezjen e gjakrave mes familjes suaj dhe asaj Shkreta?
Ne s’i kemi borxh askujt. Neve na kanë borxh, sepse kanë vrarë djalin e vogël në prehrin e nënës. Nuk kam pse të kem frikë. Ne lëvizim lirisht.
Çfarë ju kanë thënë djemtë lidhur me konfliktin e lindur me familjen Shkreta?
Djemtë më kanë thënë që do të merremi me atë që na vrau djalin. Me atë person që u doli përpara grave e fëmijëve, por asnjëherë për t’u bërë keq pjesëtarëve të tjerë të familjes. Ai që vrau djalin ndodhet në burg dhe shteti të merret me të.
Djali juaj Jetmiri akuzohet për vrasjet e ndodhura në familjen Shkreta, ndërsa ju e shfajësoni. Ku bazoheni?
Jetmiri ka qenë në Athinë, duke u marrë me kurimin e Muharremit, kur ndodhi vrasja e Mark Shkretës. Kur në shtëpinë e Shkretajve u vu tritol, im bir ndodhej në Itali. Sa i përket ngjarjes së fundit, ku mbeti i vrarë Gentjan Shkreta, im bir ka dëshmitarë që ndodhej në një lokal në afërsi të Tiranës. Nuk e them unë, e vërtetojnë dëshmitarët. Jetmiri ka qenë në drekë kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me familjen Shkreta?
Ne kemi 40 vite që jetojmë këtu dhe me familjen Shkreta kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Djemtë tanë kanë qenë miq të mirë. Na ra si bombë kur djemtë e kësaj familjeje na vranë fëmijën.
Tashmë që Jetmiri ndodhet në burg në Shqipëri, keni frikë se mos i ndodh gjë për jetën apo mos përplaset me hasmët në qeli?
Nuk kam aspak frikë dhe nuk besoj se mund t’i ndodhë gjë. Shteti nuk vret njeri. Unë besoj te drejtësia. Shteti duhet ta mbrojë tim bir, të vërë drejtësi.
Keni bërë ndonjë tentativë për të sheshuar gjakrat me familjen Shkreta?
Nuk kemi pasur kontakt me familjen Shkreta. Nuk do të merremi privatisht me këtë familje. I besojmë ligjit dhe drejtësisë.





